Agim Ademi, kryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës, ka përkrahur protestën “Drejtësi, Jo Politikë”, e cila do të mbahet më 17 shkurt në mbrojtje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që po gjykohen në Hagë.

“FFK i bashkohet protestës së organizuar nga platforma “Liria ka Emër” dhe u bën thirrje komunitetit të futbollit dhe të gjithë qytetarëve që të marshojnë për drejtësi dhe në mbrojtje të vlerave të luftës çlirimtare”, thuhet në një postim të FFK-së në Facebook.

Platforma “Liria ka Emër”, e cila është organizatore e kësaj proteste, e kanë falënderuar Ademin për mbështetjen. Eliza Hoxha, nga platforma organizatore, e cila është pritur nga Ademi në zyrën e tij, ka thënë se sporti ka bashkuar gjithmonë shqiptarët, ndërsa ka theksuar nevojën për bashkim edhe në kërkesën për drejtësi për çlirimtarët.

“Sporti ka qenë gjithmonë një prej shtyllave më të forta të përfaqësimit të Kosovës në arenën ndërkombëtare. Futbolli na ka bashkuar në momentet më të vështira dhe na ka dhënë krenari në kohë sfidash. Sot, kur kërkojmë drejtësi dhe dinjitet për çlirimtarët tanë, është e rëndësishme që i gjithë spektri shoqëror të qëndrojë i bashkuar,” u shpreh Hoxha.

Mbështetje protestës së 17 shkurtit i kanë dhënë edhe figura të tjera politike, pjesëtarë të shoqërisë civile e shoqata të veteranëve të dala nga lufta e UÇK-së.

Procesi i gjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka hyrë në fazën finale. Më 9 shkurt filluan fjalët përfundimtare të palëve, të cilat pritet të zgjasin deri më 18 shkurt. Pas tyre, trupi gjykues ka 90 ditë kohë për vendimin përfundimtar.