Pretendimeve të Gjykatës Speciale se si “standardet e gjykimit të drejtë respektohen në Hagë”, u është përgjigjur Luka Misetiç, avokati i ish-Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi. Misetiç në një postim në “X”, ia ka rikujtuar Dhomave të Specializuara se në rastin kundër krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë iniciuar 37 ankesa, dhe që të gjitha janë refuzuar nga Panelet e Apelit.
“Konteksti duhet të merret parasysh në vlerësimin e efektivitetit të së drejtës së ankimit për shkeljet e standardeve të gjykimit të drejtë. Të pandehurit në rastin e krimeve të luftës, (Thaçi dhe të tjerët) kanë iniciuar 37 ankesa ndërmjetëse (interlokutore), dhe secila prej tyre është refuzuar nga Paneli i Apelit”, ka shkruar Misetiç.

Përveç rasteve në Apelin e Dhomave Speciale në Hagë, mbrojtjes i janë refuzuar gjithashtu të gjitha kërkesat për mbrojtjen në liri të katërshes së UÇK-së. Sipas statistikave të disponueshme aktuale, llogaritet se janë mbi 100 kërkesa në total për lirim nga paraburgimi të cilat janë refuzuar fillimisht nga gjyqtarët paraprakë e më pas edhe nga Trupi Gjykues.









