Fatmir Limaj, Kryetar i Nismës, e ka konsideruar skandaloz aktgjykimin e Gjykatës Speciale ndaj krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe si një goditje të madhe për Kosovën.

Ai theksoi se nuk janë gjykuar katër njerëz, por pozitat e tyre që i kanë pasur.

“Aktgjykimi është skandaloz. Nuk janë gjykuar katër njerëz, por pozitat e tyre. Nuk janë gjykuar individët por pozitat që kanë pasur”, tha Limaj në Debat Plus.

Ai kritikoi edhe procesin dhe mënyrën se si janë caktuar gjyqtarët, duke rikujtuar se një pjesë e tyre kanë qenë pjesë e EULEX-it.

“Një trup që është krijuar pa mbikëqyrje, kush është përzgjedhja e atyre njerëzve? Shumica e tyre janë gjyqtarë të EULEX-it, me shumë pikëpyetje dhe pa një mbikëqyrje. Duke parë krejt procesin si ka shkuar, kujt ne i kemi besuar me na nda drejtësi dhe kujt ia kemi besuar historinë dhe njerëzit tanë?”.

“Fatkeqësisht ka ardhur ky rezultat dhe kemi dëgjuar ai aktgjykim që ka ardhur, e që unë mendoj se është goditje e madhe për shtetin e Kosovës. Edhe një herë nuk janë gjykuar individët, pozitat e tyre që kanë mbajtur”, deklaroi ai.

Në këtë drejtim, Limaj pyeti se “për çfarë drejtësie po flasim”.