Derisa protestat po vazhdojnë në qendër të Prishtinës, e në afërsi të objekteve të Qeverisë dhe Kuvendit, Policia e Kosovës duket se po ushtron dhunë të paprovokuar ndaj qytetarëve protestues, të cilët po kërkojnë që të votohet në shqyrtim të dytë ndryshimi i Ligjit për Specialen.
Njëri ndër ta është edhe deputeti i PDK-së, Xhevahir Geci, i cili për VOX Kosova tregoi se, përpos që policët kanë gjuajtur gaz lotësjellës, ai është goditur edhe me hedhësin e gazit në kokë dhe aktualisht është duke u trajtuar në QKUK.
“Ne kemi qenë në protesta paqësore përballë Kuvendit dhe papritmas kanë filluar me na gjuajtur me gaz. Përpos që jemi ngulfatur dhe kemi qenë rrezik për jetë, jo vetëm unë, por shumë protestues, por mua më janë hedhur edhe me atë pjesën e gazit lotësjellës në kokë. Tash kam pranuar ndihmë mjekësore në QKUK”, tha Geci për VOX Kosova.
Xhevahir Geci, pos të tjerash, ka qenë ushtar i UÇK-së dhe bashkëluftëtar i Adem Jasharit.









