Kryetari i Lidhjes Demokratrike të Kosovës i është përgjigjur ashpër kërkesës së degës së LDK-së në Pejë për dorëheqjen e tij nga pozita e të parit në parti. Ai ka përmendur Kryetarin e Degës atje, Gazmend Muhaxherin, të cilit siç shprehet Abdixhiku “ia ka mbuluar marret”, duke iu referuar deklaratës kur Muhaxheri krahasonte veprimet e pushtetit të Kurtit në veri, me ato të kasapit të Ballkanit, kriminelit Slobodan Millosheviç.
“Unë i kam mbrojtë kur kanë ba gafa ma të mëdhaja në këtë studio kur kanë folë për Millosheviçin unë kam dalë kam folë se si kanë hangër njerëzit burg e neve na ka kushtu ajo në vota në Kosovë. Është dashtë me i mbulu marret e tyre. S’e kam asnjë fjalë të keqe. Kam hyrë në zjarr për ta. Kam ba marrëveshje politike që ata me i fitu zgjedhjet lokale që s’kam dashtë me i ba publike”, tha Abdixhiku në Rubikon.
Dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Pejë, me shumicë votash, ka njoftuar se është pajtuar se lidershipi i partisë duhet të japë dorëheqje për shkak të rezultateve të dobëta në zgjedhjet e 7 qershorit.
Sipas njoftimit të LDK-së në Pejë, anëtarët e Kryesisë kanë kërkuar reflektim të thellë dhe marrje të përgjegjësisë nga udhëheqja e partisë.
“Pas mbledhjes së Kryesisë dhe analizës së rezultateve të zgjedhjeve të qershorit, me shumicë votash, anëtarët e Kryesisë në Pejë kanë kërkuar reflektim të thellë politik dhe marrjen e përgjegjësisë nga lidershipi i partisë. Në këtë drejtim, është kërkuar dorëheqja si akt moral dhe politik, duke vlerësuar se përgjegjësia për rezultatin duhet të bartet nga udhëheqja”, thuhet në njoftim.
Sipas tyre, ky akt është një domosdoshmëri në funksion të ruajtjes së besimit të anëtarësisë.
“Kryesia konsideron se ky duhet të jetë një imperativ i qartë i kësaj shtëpie të demokracisë, në funksion të ruajtjes së besimit të anëtarësisë dhe forcimit të standardeve demokratike brenda partisë”, përfundon komunikata.
Degën e LDK-së në Pejë e udhëheq Gazmend Muhaxheri.









