Kuvendi Komunal i Komunës së Zetës në Mal të Zi ka miratuar të martën një deklaratë për shfuqizimin e vendimit për njohjen e pavarësisë së Kosovës në territorin e kësaj komune. Ndaj këtij vendimi, ka reaguar Ministri shqiptar i Administratës Publike në Qeverinë malazeze, Marash Dukaj, duke e quajtur si “hap prapa në ndërtimin e së ardhmes evropiane”.
“Pa hyrë në elementet kushtetuese-juridike që një akti të tillë politik nuk i japin karakter detyrues, këtu megjithatë bëhet fjalë për fenomenin e përpjekjes për marrjen e kompetencave të huaja dhe ndërhyrjes në marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, të cilat janë objektivi parësor i vendit tonë”, shkroi Dukaj në platformën X.
“Në vend që komuna më e re të bëjë gjithçka për t’u krijuar qytetarëve të saj kushte më të mira për jetë dhe prosperitet, ne po dëshmojmë përpjekje të shpërbërjes së institucioneve përmes devijimeve të pjesëve të sistemit, e gjitha kjo për përfitime të ngushta politike dhe strategji gjeopolitike të lidhura me to”, shtoi ai.
Pro deklaratës për mos ta njohur pavarësinë e Kosovës në Komunën e Zetës votuan këshilltarët komunalë të partive pro-serbe: ata të Partisë Demokratike Popullore, Demokracisë së Re Serbe, Marko Vukçeviç nga Demokratët, si dhe këshilltarët e pavarur Nikola Rajoviç, Svetozar Uliçeviç dhe Lidija Paniç.
Këshilltarët e Partisë Demokratike të Socialistëve – partisë së ish-Presidentit malazez, Milo Gjukanoviç – nuk morën pjesë në seancë, ndërsa para votimit sallën e lëshuan këshilltarët e Demokratëve, Aleksandra Petriçeviç dhe Luka Krstoviç.
Propozuesi i deklaratës, Nebojsha Nikçeviç, tha se iniciativën e kanë nënshkruar 18 këshilltarë, raportojnë mediat malazeze.
Partitë pro serbe në Mal të Zi kanë tentuar edhe disa herë të tjera që ta çnjohin pavarësinë e Kosovës në këtë komunë, por pa sukses.
Mali i Zi e ka njohur pavarësinë e Kosovës më 9 nëntor 2008, disa muaj pas shpalljes. Kryeministër i Mali të Zi në atë kohë ishte Milo Gjukanoviç.
Mali i Zi ishte vendi i 49-të që e kishte njohur pavarësinë e Kosovës.









