Dega e tretë me radhë e Lidhjës Demokratike e Kosovës, dega II-të e LDK-së në Prishtinë e cila udhëhiqet nga Florian Dushi është rreshtuar në krah me degën e Lipjanit e Pejës duke kërkuar dorëheqjen e Lumir Abdixhikut nga pozita e kryetarit të LDK-së.
Sipas tyre “LDK-ja po rrëshqet drejt margjinalizimit politik, duke e betonuar veten në pozitën e tretë dhe duke u shndërruar në një parti pa peshën e duhur politike dhe shtetndërtuese”.
“Fatkeqësisht, ashtu si Kosova, edhe Lidhja Demokratike e Kosovës po kalon njërën nga periudhat më të vështira në historinë e saj. Pas humbjeve të njëpasnjëshme, LDK-ja po rrëshqet drejt margjinalizimit politik, duke e betonuar veten në pozitën e tretë dhe duke u shndërruar në një parti pa peshën e duhur politike dhe shtetndërtuese. Ky është një realitet i papranueshëm për partinë e Ibrahim Rugovës dhe një dëm i madh për vetë shtetin e Kosovës”, thuhet në deklaraten e tyre.
Sipas degës së II-të të Prishtinës, Lidhja Demokratike e Kosovës ka nevojë për lidership të ri dhe për një rimëkëmbje.
“LDK-ja duhet ta rikthejë veten me energji të reja, me lidership të ri, me struktura të rifuqizuara dhe me një bashkim të vërtetë të të gjithë atyre që kanë për mision avancimin e interesave të shtetit të Kosovës dhe të së ardhmes së saj, e jo realizimin e interesave të ngushta individuale apo grupore. LDK-ja ka nevojë për rimëkëmbje, për kthim te besimi qytetar dhe te fryma fituese që dikur e bënte shpresën më të madhe të Kosovës”, thuhet tutje në komunikatë.









