Qeveria e Kosovës ka reaguar pas vendimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për ta pezulluar Dialogun Strategjik me Kosovën.
Zëdhënësi Përparim Kryeziu, nuk e ka përmendur fare pezullimin e Dialogut Strategjik, por është përpjekur të arsyetohet me disa statistika e qëndrime.
Qeveria mbetet prapa deklarimeve të Kryeministrit Albin Kurti rreth gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese.
“Sa i përket kritikave publike të kryeministrit ndaj Gjykatës Kushtetuese, është qëndrimi i tij i hapur se me vendimet e saj, Gjykata Kushtetuese e ka cenuar karakterin demokratik të Republikës së pavarur, dhe se me joefikasitetin e saj në trajtimin e lëndëve është bërë bashkëpjesëmarrëse në agjendën e partive politike opozitare për të vonuar reformat themelore të paraparë në programin qeverisës”, ka shkruar Kryeziu.
Krejt në fund të deklaratës, Kryeziu përpiqet ta paraqes Qeverinë falënderuese ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Për kritikat, kanë thënë se I mirëpresin, por përmendin se kur ato janë konkrete, edhe mund të korrigjojnë hapat.
“Ne i jemi gjithmonë mirënjohjes për kontributin dhe angazhimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për vendin tonë dhe i falënderojmë Shtetet e Bashkuara të Amerikës për mbështetjen dhe ndihmën ndaj shtetit të Kosovës dhe popullit tonë në aq shumë fusha. I mirëpresim edhe kritikat. Kurdo që janë konkrete përpiqemi maksimalisht të përmirësojmë dhe korrigjojmë hapat e veprimet tona”, shkruan ai.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë ka njoftuar se Uashingtoni ka pezulluar për një kohë të pacaktuar dialogun strategjik me Kosovën për shkak të shqetësimeve lidhur me veprimet e qeverisë në detyrë të drejtuar nga Albin Kurti.
“Shtetet e Bashkuara kanë pezulluar për një kohë të pacaktuar Dialogun Strategjik të planifikuar me Kosovën për shkak të shqetësimeve lidhur me veprimet e qeverisë kujdestare, të cilat kanë rritur tensionet dhe pasigurinë, duke kufizuar aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të punuar në mënyrë produktive me Kosovën për prioritetet e përbashkëta”, thuhet në reagim.
Në reagim theksohet po ashtu se SHBA-ja mbetet e përkushtuar për të avancuar interesat e përbashkëta që ndajnë Shtetet e Bashkuara dhe populli i Kosovës.
“Marrëdhënia jonë me Kosovën bazohet në një qëllim të përbashkët: forcimin e paqes dhe stabilitetit si themel për një mirëqenie të ndërsjellë ekonomike. Për fat të keq, veprimet dhe deklaratat e fundit të kryeministrit kujdestar Kurti kanë paraqitur sfida për progresin e arritur ndër vite”.