Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka treguar se partia që ai udhëheq nuk do ta përkrahë Bekim Sejdiun për President.

“Aleanca nuk përkrahë kurrfarë kandidati për kurrgjë. Ne e kemi bërë të qartë edhe ma herët. Nuk kemi çka me përkrahë ne. Shikoni nuk kemi çka me përkrahë na. Ky njeri prapë e ka shndërru postin e Presidentit sikur një konkurs për një ofiçar në Komunë”, ka thënë Gjini për VOX Kosova.

Gjini theksoi se Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, “i përcakton kushte bën me qenë President e kush jo”. “E bajnë një marrëveshje që e dinë edhe vet që s’kanë me i implementu. Vetë prezenca e njerëzve në konferencë për shtyp dje edhe heshtja e tyre tregon që nuk janë ba gati me implementu atë marrëveshje të veten”.

Edhe kjo, siç thotë ai, “është pjesë e mashtrimit ma të madh në historinë e Kosovës”.

Por, sipas Gjinit, “këtij mashtrimi ka me i ardhë fundi”. “Po besoni diçka. Njerëzit kanë me u befasu kur të marrin vesh se në çfarë epoke të mashtrimit po jetojmë. Kanë me e marrë vesh të gjithë. Veç edhe pak pritni”.

Sejdiu u propozua si kandidat për President nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje të hënën.

Se LDK dhe VV janë pajtuar për emrin e Sejdiut, VOX Kosova raportoi të shtunën.