Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka reaguar për situatën politike dhe procesin e themelimit të institucioneve pas zgjedhjeve parlamentare, duke thënë se i gjithë procesi ndodhet në një “terren jokushtetues”.

Hoti ka renditur disa arsye për këtë vlerësim, duke përmendur moskonstituimin e Kuvendit brenda afatit prej 30 ditësh nga certifikimi i zgjedhjeve.

Sipas tij, edhe funksionimi i Qeverisë në detyrë është jokushtetues, pasi, siç ka thënë ai, kryeministri në detyrë dhe disa ministra janë betuar si deputetë dhe nuk kanë të drejtë të vazhdojnë ushtrimin e funksioneve qeveritare.

“Shkaktari është Kurti dhe të gjithë ata që e pasojnë”, ka shkruar Hoti.

Ai ka ngritur kritika edhe për situatën lidhur me ushtrimin e detyrës së presidentit, duke pretenduar se ish-kryetarja e Kuvendit, pas betimit si deputete, nuk mund ta ushtrojë më këtë funksion.

Në fund, Hoti ka hedhur akuza të rënda ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, duke thënë se rendi kushtetues është katandisur në një gjendje kaosi dhe jokushtetutshmërie.

“Vetëm dikush që është kundër vetë ekzistencës së shtetit të Kosovës e katandis rendin kushtetues në këtë gjendje kaosi dhe jokushtetutshmërie”, ka shkruar ish-kryeministri Hoti.