Albin Kurti ka dalë në mbështetje të studentëve që po protestojnë në Shqipëri, duke kritikuar në të njëjtën kohë, tërthorazi, qeverisjen dhe mënyrën se si funksionon demokracia nën presionin e oligarkisë.
Ndonëse nuk e përmendi drejtpërdrejt Edi Ramën, Kurti foli për nevojën që të rinjtë të kenë arsye për të besuar në të ardhmen e tyre në Shqipëri, të jetojnë me dinjitet nga puna dhe të jenë pjesë e vendimmarrjes.
“Veçanërisht të rinjtë duhet të kenë arsye të besojnë në të ardhmen e tyre në Shqipëri. Të jetojnë me dinjitet nga puna, të jenë palë në vendime dhe ta kenë shtetin si mbështetje. Rininë dhe atë studentore i kemi shumë të çmuara. Një demokraci që humbet besimin e të rinjve e mbyt ripërtëritjen dhe ndryshimin shoqëror. Ne duam një Shqipëri ku demokracia i mbijeton çdo qeverisjeje, ku institucionet janë më të forta se forcat e padrejtësisë, ku drejtësia është aksion shoqëror dhe ku liria kombëtare merr kuptim përmes drejtësisë shoqërore”, tha Kurti në mbledhjen e Këshillit të VV-së.
Ai tha se dhuna ndaj protestuesve duhet të trajtohet, porse përgjegjësia nuk duhet të kufizohet vetëm te personat që kryejnë veprime të dhunshme, pasi, sipas tij, duhet të kuptohen edhe rrënjët dhe kushtet që i nxisin përplasjet.
Kurti shkoi edhe më tej, duke thënë se Shqipërisë i duhet një demokraci që i mbijeton çdo qeverisjeje.
“Është e rëndësisë jetike që ne shqiptarët t’ia dëshmojmë vetes se dimë të ndërtojmë demokraci që i qëndron trysnisë së kapitalizmit dhe qeverisje që nuk i përkulen oligarkisë”, deklaroi Kurti.
Megjithatë, pavarësisht mesazheve të tij në mbështetje të studentëve, Kurti ka mohuar se Lëvizja Vetëvendosje qëndron prapa organizimit të protestave.









