Deputeti i Vetëvendosjes, Fatos Geci, “ka shprehur keqardhje” për ofendimet ndaj koleges së tij nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, sërish, duke nënçmuar deputeten, me fjalët “ula nivelin e komunikimit në të sajin”. Pavarësisht se, paraprakisht, Çitaku nuk drejtoi ofendime kundrejt Gecit. Ai nuk ka reflektuar ndaj deklaratës për “dënimin me burg të përjetshëm” as për ish-Presidentin e vendit që po gjykohet në Hagë, Hashim Thaçi.
“Dua të shpreh keqardhjen time të sinqertë për mënyrën se si jam shprehur ndaj një deputeteje në Kuvend të Republikës së Kosovës. Shprehjet e përdorura nuk pasqyrojnë nivelin e komunikimit që përfaqësoj e besoj! Shpreh keqardhje që nuk arrita ta ruaj maturinë dhe ula nivelin e komunikimit në të sajin, i ndikuar nga provokimet dhe ofendimet që m’u bënë”, shkroi ai në profilin e tij zyrtar në Facebook.
Sërish, në postimin e tij, ai sulmoi ish-Presidentin, Hashim Thaçi.
“Ata që kan vetëm pak njohuri per Komunikatën 59, i kuptojnë qëndrimet e mia. Nuk mund ta harroj frikën dhe pasigurinë për të dalë i qetë nga shtëpia dhe për t’u kthyer sërish i sigurt, duke i gjetur të gjallë prindërit dhe familjen time të madhe”.
Deputeti i VV-së në seancën plenare të Kuvendit më 22 prill kërkoi dënim të përjetshëm për ish-Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi. Gjatë së njëjtës seancë, ai iu drejtua me shprehje të ulëta dhe ofendime deputetes së Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku.
“I ke bë 100 vjet, ke mbetë pa martu. Gru e keqe”, ishte deklarata e tij ndaj koleges së tij nga PDK.









