Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka njoftuar për një kontratë të re mes Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) dhe kompanisë publike maqedonase ESM për eksportin e thëngjillit.
Sipas Rizvanollit, përgjatë tri viteve, KEK-u do të eksportojë në Maqedoninë e Veriut deri në 73.2 milionë euro thëngjill.
Ajo ka bërë të ditur se çmimi i përcaktuar është 24.4 euro për ton, pa TVSH, duke e cilësuar atë si më të favorshëm për KEK-un krahasuar me kontratat e mëparshme, të cilat, sipas saj, realizoheshin përmes ndërmjetësuesve.
Rizvanolli ka përmendur edhe një rast të kaluar, kur thëngjilli ishte shitur për vetëm 8 euro për ton, duke përfshirë tantiemën prej 3 eurosh dhe TVSH-në prej 18 për qind.
Sipas ministres në detyrë, kjo kontratë nuk do të ndikojë në prodhimin e energjisë elektrike në Kosovë, pasi ESM do të jetë përgjegjëse për eskavimin dhe transportin e thëngjillit që do ta blejë.
Kontrata është lidhur për herë të parë drejtpërdrejt mes dy kompanive publike, KEK-ut dhe ESM-së.
Njoftimi për eksportin e thëngjillit vjen në një kohë kur një pjesë e madhe e Prishtinës po përballet me mungesë të energjisë elektrike, duke ngritur pikëpyetje mbi prioritetet e furnizimit me energji në Kosovë.









