Ish-presidenti i kapur i Venezuelës, Nicolas Maduro, rikthehet të enjten në një gjykatë amerikane për t’u përballur me akuzat penale ndaj tij, që përfshijnë narkoterrorizëm, një ligj që rrallë është testuar në gjyq dhe ka një histori të kufizuar suksesi.
Maduro, 63 vjeç, udhëhoqi Venezuelën nga viti 2013 deri në kapjen e tij në Karakas nga forcat speciale amerikane më 3 janar. Më 5 janar ai u deklarua i pafajshëm për të gjitha akuzat e ngritura ndaj tij nga SHBA.
Ligji në fjalë, i miratuar për të goditur trafikun e drogës të lidhur me aktivitete që Shtetet e Bashkuara i konsiderojnë terrorizëm, ka prodhuar vetëm katër dënime në gjyq, sipas një analize të Reuters mbi të dhënat e gjykatave federale dhe dy prej tyre u rrëzuan më pas për shkak të problemeve me besueshmërinë e dëshmitarëve.
Ky bilanc i përzier nxjerr në pah një sfidë kyçe për prokurorët në rastin e Maduros: bindjen e jurisë se provat nga bashkëpunëtorë të brendshëm vërtetojnë në mënyrë të besueshme lidhjen mes krimeve të dyshuara të drogës dhe terrorizmit.
“Mësimi nga këto dy raste nuk është se ligji për narkoterrorizmin është i pazbatueshëm,” tha Alamdar Hamdani, partner në firmën ligjore Bracewell dhe ish-prokuror federal në Houston.
“Por që elementi më i vështirë i këtij ligji — provimi i dijenisë së të pandehurit për lidhjen me terrorizmin — kërkon cilësi të lartë provash dhe një standard të lartë përpjekjeje nga prokuroria, pa hapësirë për gabime apo mbështetje të pakritikueshme te dëshmitarët,” shtoi ai.
Prokurorët ende nuk kanë zbuluar se kush do të dëshmojë kundër Maduro-s, por një ish-gjeneral venezuelian i akuzuar bashkë me të i ka thënë Reuters se është i gatshëm të bashkëpunojë.
Maduro akuzohet se ndihmoi rebelët kolumbianë
Kongresi amerikan krijoi ligjin për narkoterrorizmin 20 vite më parë për të goditur trafikantët e drogës që financojnë aktivitete të konsideruara terroriste nga SHBA. Që atëherë, 83 persona, përfshirë Maduro-n, janë akuzuar për shkelje të tij. Prej tyre, 31 janë deklaruar fajtorë për narkoterrorizëm ose akuza më të lehta, tetë janë në pritje të gjyqit, ndërsa dhjetëra të tjerë nuk ndodhen në paraburgim në SHBA.
Rrëzimi i disa dënimeve nuk ndikon drejtpërdrejt në rastin e Maduros, i cili përballet edhe me tre akuza të tjera, përfshirë komplot për importim kokaine.
Maduro, një socialist, akuzohet se ka udhëhequr një skemë ku zyrtarë të qeverisë së tij ndihmuan në transportimin e kokainës përmes Venezuelës, në bashkëpunim me trafikantë si Forcat e Armatosura Revolucionare të Kolumbisë (FARC), të cilat SHBA i konsideroi organizatë terroriste nga viti 1997 deri në 2021. Maduro dhe zyrtarët e tjerë të akuzuar kanë mohuar vazhdimisht çdo shkelje, duke i quajtur akuzat amerikane pjesë të një komploti imperialist kundër Venezuelës.
Avokati i tij, Barry Pollack, nuk iu përgjigj kërkesave për koment mbi historikun e ligjit apo dëshmitarët e mundshëm, ndërsa zyra e prokurorit në Manhattan refuzoi gjithashtu të komentojë.









