Ali Ahmeti, Kryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim, ka thënë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka qenë një ushtri që ka luftuar për liri, derisa procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së e ka konsideruar skandaloz, por është shprehur i bindur se në fund Kosova do të jetë triumfuese.

“Pavarësisht akuzave, pavarësisht tendencave të Beogradit se kjo ushtri ka qenë një ndërmarrje kriminale. Pavarësisht tendencave tepër të organizuara të lindjes për t’iu kundërvënë demokracisë së vërtetë… duke e fajësuar edhe drejtpërdrejtë Amerikën, NATO-n e Evropën se gjoja në Kosovë kanë mbështetur një lëvizje kriminale”, tha Ahmeti në nceremoninë e përurimit të shtatores së heroit Afrim Zhitia.

Ai theksoi se UÇK-ja ka qenë ushtri që ka luftuar për liri dhe se ka “realizuar amanetin e mijëra e mijëra njerëzve të vrarë për këtë tokë”. “Prandaj do të dështojnë të gjithë ata, në veçanti Perandoria e Lindjes e udhëhequr nga Kremlini e Moska se ushtria jonë ka qenë ushtri terroriste e ndërmarrje kriminale”.

“Ashtu siç kemi fituar deri më tani edhe këtë proces tepër të skandalizuar ne do të jemi… dhe Kosova do të jetë triumfuese”.