Hashim Thaçi, ish-President i Kosovës, është deklaruar i pafajshëm për aktakuzën e dytë që e ngarkon Prokuroria e Gjykatës Speciale për pengim të drejtësisë.

“Plotësisht i pafajshëm”, ka thënë Thaçi në seancën gjyqësore të së premtes në Hagë.

Edhe të akuzuarit e tjerë në këtë rast – Bashkim Smakaj, Isni Kilaj, Fadil Fazliu dhe Hajredin Kuçi – janë deklaruar të pafajshëm.

Prokuroria e Speciales pretendon se veprat penale për pengim të drejtësisë janë kryer gjatë vizitave në objektin e paraburgimit.

Sipas aktakuzës së konfirmuar, mes të paktën 12 prillit 2023 dhe 2 nëntorit 2023, gjatë vizitave të ndara dhe jo të privilegjuara në objektet e paraburgimit, Hashim Thaçi u ka dhënë Smakajt, Kilajt, Fazliut dhe Kuçit informacione konfidenciale për procesin kundër tij për krime lufte, ku është i akuzuar së bashku me Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.

Isni Kilaj u arrestua fillimisht si i dyshuar më 2 nëntor 2023 dhe u lirua përkohësisht me kushte të rrepta më 15 maj 2024. Pas konfirmimit të aktakuzës, më 5 dhe 6 dhjetor 2024, Isni Kilaj, Bashkim Smakaj dhe Fadil Fazliu u arrestuan dhe u transferuan në Njësinë e Paraburgimit në Hagë.

Hashim Thaçi u njoftua me fletarrestim në objektet e paraburgimit, ndërsa Hajredin Kuçi u la të mbrohet në liri. Të pesë të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm.

Isni Kilaj u lirua me kusht në Kosovë për herë të dytë më 10 dhjetor 2025, ndërsa Bashkim Smakaj dhe Fadil Fazliu u liruan me kusht më 10 shkurt 2026.

Më 18 shkurt, Thaçi dhe krerët e tjerë të UÇK-së dhanë fjalët e tyre përfundimtare në procesin ku UÇK-ja akuzohet si Ndërmarrje Kriminale e Përbashkët. Tashmë është koha që gjykatësit të nxjerrin aktgjykimin dhe pritjet janë që ai të shpallet rreth qershorit të këtij viti.

Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi u dorëzuan vullnetarisht më 5 nëntor 2020 dhe që nga ajo kohë u janë refuzuar kërkesat për mbrojtje në liri.

Dy vjet e gjysmë mori vetëm procedura paraprake dhe gati tre vjet procesi i seancave dëgjimore dhe paraqitjes së provave.

Në anën e mbrojtjes kanë dëshmuar personalitete të rëndësishme amerikane që kishin rol të rëndësishëm në vitet 1998–1999, si ish-kreu i NATO-s, Wesley Clark, ndihmëssekretari i Shtetit, James Rubin, dhe i dërguari special për Kosovën, Christopher Hill.