Ish-hetuesja e Tribunalit të Hagës për ish-Jugosllavi, Nevenka Tromp, e ka cilësuar si “gjyq spektakël” procesin që po zhvillohet ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Gjykatën Speciale.
Në një intervistë ekskluzive për VOX Kosova, Tromp ka komentuar deklaratën e ish-kryeprokurorit Jack Smith, i cili në dhjetor të vitit 2020, gjatë një takimi me ambasadorët e BE-së, kishte thënë se udhëheqësit e UÇK-së do të dënoheshin me burgim të përjetshëm — ende pa nisur procesi gjyqësor.
“Gjyqet spektakël janë një formë interesante e drejtësisë… nuk kanë për qëllim ndëshkimin e kryerësve të veprave penale, as dhënien e drejtësisë për viktimat, por paraqitjen e një shfaqjeje për publikun e jashtëm…”, thotë Tromp, duke paralajmëruar se këto gjyqe synojnë të dërgojnë mesazh.
Ajo thekson se një nga karakteristikat kyçe të këtij lloj procesi është pikërisht fakti që rezultati i tij përcaktohet që më parë. “Ekziston një literaturë gjithnjë në rritje për gjyqet spektakël, që nga koha e Stalinit deri te koha e Sadam Huseinit”.
Ajo shpjegon se drejtësia penale ndërkombëtare është ndërtuar mbi përpjekjen për të gjykuar krimet me standardet më të larta të procesit të rregullt.
Por, nëse vendimi për fajësinë dhe dënimin është marrë që në fillim, atëherë, për Tromp, “për fat të keq, do të na duhet të nxjerrim përfundimin se këto lloj gjykimesh janë gjyqe spektakël”.








