Shumë e mirë për të qenë e vërtetë. Kështu tingëllonte ligjërata e mbajtur në Harvard School of Law në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nga ish Kryeprokurori Dhomave te Specializuara të Kosovës, Jack Smith.

Përballë pyetjeve të Alex Whiting, krahu i djathtë i tij në Hagë në përpilimin e aktakuzës kundër krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Smith fliste në këtë ligjëratë për teoritë dhe praktikat e duhura që e bëjnë një prokurori serioze, që punon me fakte, nuk përndjek dhe që mban distancë nga politika.

E pikërisht këtu qëndron ironia.

Një leksion juridik nga një figurë jashtëzakonisht e kontestuar, për shkak të metodave të aplikuara në projektin e tij kundër UÇK-së, duke instaluar përndjekje politike, përdorim të provave të manipuluara nga Serbia, fshehje të dëshmive të forta shfajësuese, mbështetje në dëshmitarë të rrejshëm dhe gjyq spektakël – një term që përshkruan modelin e gjykimeve në vende autoritare, kur procesi është krejt formal pasi verdikti dihet qysh në fillim.

Jack Smith:

“Nëse ke një prokuror që është aq i vendosur për të arritur një rezultat të caktuar saqë nuk i intereson se si arrin deri aty, duhet të jesh shumë dyshues ndaj atij prokurori”.

Ky përshkrim, në të vërtetë, i shkon shumë vetë Jack Smithit për punën e tij në Hagë.

Ai ndërtoi një aktakuzë që nuk kishte rast.

Ben Emmerson, ish avokat i Kadri Veselit:

“Disi është dashur të krijohet një rast kundër këtyre katër burrave nga asgjëja”.

Shtrembëroi faktet.

Pierre Prosper, avokat i Hashim Thaçit.

“Në vend që t’i linin faktet të çonin tek rezultati, ata kanë vendosur t’i përkulnin faktet për qëllimet e tyre të dëshiruara”.

Ia hapi derën Serbisë në proces përmes materialeve kundër UÇK-së.

Gregory Kehoe, ish avokat i Hashim Thaçit:

“Kërcënimi këtu, nga shërbimet serbe të inteligjencës për të infiltruar dhe për të penguar drejtësinë në këtë rast, është i vazhdueshëm”.

Dhe këtë e bëri duke qenë e ditur botërisht se Serbia manipulonte vazhdimisht e kudo dëshmi kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ben Emmerson, ish avokat i Kadri Veselit:

“Shumë prej të cilave në të kaluarën, nën ekzaminim forensik, kanë rezultuar të jenë mashtruese, të fabrikuara dhe një përpjekje e qëllimshme për të manipuluar dhe për të mashtruar”.

Një pjesë të narratives së aktakuzës së tij, sipas gjetjeve nga ekipet mbrojtëse, Smith synonte ta mbronte edhe me dëshmitarë të rrejshëm, e me ndërmjetësues që kishin lidhje me Shërbimin Sekret Serb.

Prokuroria Speciale gënjeu në mënyrë të përsëritur se gjykon individët, por në fakt e qiti në bankën e akuzës krejt UÇK-në.

Ben Emmerson, ish avokat i Kadri Veselit:

“Ajo që bëhet e qartë, kur lexon materialin që ata kanë dorëzuar, është se ndërmarrja e përbashkët kriminale që ata pretendojnë është, në vetvete, Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Vetë ekzistenca e atij grupi”.

Kur përshkruajti gjyqet spektakël – që ndodhin në vende autoritare – ish prokurori Smith përmendi diçka që ai personalisht e kishte si metodë.

Jack Smith:

“Stalini kishte gjyqe spektakël. Nazistët kishin gjyqe spektakël. Më së fundi, Alexei Navalny në Rusi. Këto janë gjyqe ku rezultati nuk vihet në dyshim dhe procesi është çfarëdo procesi që është i nevojshëm për të arritur rezultatin që dëshiron”.

Një muaj pasi ishin paraburgosur krerët e UÇK-së, pa qenë fare gati nisja e gjykimit, pa qenë e përfunduar aktakuza, pa u prezantuar provat dhe pa u dëgjuar dëshmitarët, në dhjetor të vitit 2020, Jack Smith kishte deklaruar se Hashim Thaçi e Kadri Veseli do të dënoheshin me burgim të përjetshëm.

Këtë gjë, si fakt të kryer, ai e kishte thënë në një takim me armatën diplomatike të evropianëve, e ku prezente ishte edhe Kryetarja e Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova.

Smith, para përfaqësuesve të vendeve demokratike, po e prezantonte qasjen e tij se procesi gjyqësor do të ishte thjesht një procedurë farsë, sepse verdikti dihej.

Në procesverbalin e atij takimi, që e kishte publikuar ekskluzivisht Vox Kosova, ndaj deklaratës së Smith nuk citohet të kenë reaguar Trendafilova dhe ambasadorët. Kjo lë përshtypjen se të gjithë ata ishin dakord për aplikimin e një gjyqi spektakël – ku procesi është veç formalitet sepse verdikti tashmë dihet dhe se gjithçka tjetër duhet t’i përshtatet atij.

Nevenka Tromp, ish hetuese në Tribunalin për Ish Jugosllavinë:

“Nëse rezultati i një gjykimi është përcaktuar paraprakisht dhe nëse vendimet e gjyqtarëve, dënimet, tregojnë në fakt se udhëheqësit e UÇK-së do të dënohen përjetësisht, për fat të keq, do të na duhet të nxjerrim përfundimin se këto lloj gjykimesh janë gjyqe spektakël”.

Kryefjala e ligjëratës së Smith në Harvard ishte kjo:

Jack Smith:

“Faktet kanë rëndësi. Faktet vërtet kanë rëndësi.”

Por faktet nuk ishin kryefjala në punën e tij në Hagë.

Zyra e tij për më shumë se dy vjet mbajti fshehtë prova shfajësuese për krerët e UÇK-së.

Bëhej fjalë për dëshmi me peshë të madhe, siç ishte një raport i CIA-s amerikane, një dokument nga Departamenti i Shtetit dhe një dëshmi e ish ambasadorit të OSBE-së, Daan Everts, që thonin se nuk kishte prova se UÇK ishte një organizatë e strukturuar dhe se si e tillë ajo nuk kryente sulme të organizuara ndaj civilëve.

Gregory Kehoe, ish avokat i Hashim Thaçit:

“Asnjë nga këto nuk na u dorëzua kur po shkëmbenim dhe diskutonim për këtë provë. Asnjë nga këto nuk ju paraqit juve, i nderuar gjykatës. Asnjë. Dhe ata e kanë pasur këtë informacion për katër vjet, ndërkohë që këta katër zotërinj qëndrojnë në burg që nga nëntori i vitit 2020”.

Ky akt i prokurorisë cenonte jo vetëm procesin kundër UÇK-së.

Pierre Prosper, avokat i Hashim Thaçit:

“Implikimet janë të tilla që e shkatërrojnë, e tronditin themelin e sistemit ndërkombëtar të drejtësisë.”

Prokuroria e Jack Smith manovronte për kohën se kur do të mund të niste gjykimi, derisa Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi vazhdimisht refuzoheshin të mbrohen në liri.

Clare Lawson, prokurore:

“Sipas pikëpamjes së SPO-së, nuk ka asnjë arsye pse ky rast nuk mund të fillonte në verën e vitit 2021.”

Kështu kishte premtuar edhe vetë Smith në një shkresë të tij në nëntor 2020.

Por, këto ishin gënjeshtra.

Ben Emmeron, ish avokat i Kadri Veselit:

“Ata pretendonin se mund të ishin gati për gjykim në qershor të këtij viti. Kjo ishte një gënjeshtër.”

Në teori për Smithin, politika duhet të ketë distancë nga puna e prokurorisë.

Jack Smith:

“Mbajtja e politikës jashtë vendimmarrjes së prokurorëve ka rëndësi.”

Në praktikën e tij në Hagë, ndodhi e kundërta.

Veprimet e tij kundër krerëve të UÇK-së ishin si një betejë politike.

Ben Emmerson, ish avokat i Hashim Thaçit:

“Një vendim ishte marrë për t’i arrestuar ata edhe para se Prokuroria të kishte filluar të analizonte provat e saj. Pse? Sepse ata janë politikanë të njohur”.

Njoftimin për një aktakuzë kundër Thaçit e Veselit, Smith e lëshoi si fletrrufe, në një moment politik, kur ish presidenti i Kosovës po udhëtonte drejt Washingtonit për një marrëveshje paqeje me Serbinë në Shtëpinë e Bardhë në prezencë të presidentit Donald Trump.

Koha do të tregonte se Jack Smith do të ishte prokurori që do të angazhohej nga politika për ta ndjekur penalisht Trumpin për veprimet e tij politike dhe metodat do të ngjasonin shumë me ato që aplikoi në Hagë. Për këto, presidenti amerikan republikanët kërkojnë burgosjen e tij.

Donlad Trump, president i SHBA-ve:

“Në mendimin tim, Jack Smith i çmendur është një kriminel.”

Kur dëgjon ligjërimet teorike të Smith dhe ke në mendje makinacionet e tij në Hagë, komenti i vetëm është: Wow Jack!