Guénaël Mettraux: z. Emmerson, sa i përket formulimit tuaj, këtu nuk ka asnjë gjyq sekret.

Ben Emmerson: E po, me gjithë respektin, kjo është çështje opinioni.

Guénaël Mettraux: Ka një gjyq, z. Emmerson, që të gjithë ne duam të jetë më publik sesa ka qenë, dhe kjo është arsyeja pse po e mbajmë këtë seancë. Nuk ka asnjë sekret që informacioni –

Ben Emmerson: E vlerësoj që terminologjia është joatraktive, por kjo është terminologjia ime. Kështu do t’i përshkruaja unë këto procedura.

Kjo përballje mes Ben Emmerson, ish-avokat i Kadri Veselit, dhe gjyqtarit zviceran – jo fort miqësor me mbrojtjen, Genaul Métreaux, ndodhi kur kishin kaluar gati tre muaj nga fillimi i dëgjimit të dëshmitarëve.

Procesi që po gjykon krejt Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, duke e kriminalizuar edhe në qëllime, gjyqi që tenton të rishkruajë tregimin për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, po zhvillohej në një errësirë të thellë për publikun.

Emmerson:

“Ne po rrëshqasim drejt një gjyqi sekret”.

Tre vjet më pas, kur salla e seancave u mbyll për t’i lënë kohë nxjerrjes së vendimit, paralajmërimi i Emmersonit u tregua se ishte shumë i saktë.

Gjyqi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit ishte gjyq sekret.

Aktgjykimi që do të jepet më 16 shtator do të bazohet në një proces që ia mbylli derën publikut.

Nga rreth 270 dëshmitarë, 138 janë dëshmi të dorëzuara me shkrim – për të cilat publiku nuk di absolutisht asgjë. Rreth 70 dëshmitarë janë paraqitur në seanca të mbyllura. Vetëm rreth 50 të tjerë kanë qenë të hapur për publikun.

Përballë këtyre shifrave, Prokuroria ende përpiqet ta mjegullojë situatën.

Angela Griep, zëdhënëse e Speciales:

“Seancat gjyqësore në DHSK janë publike, me përjashtim të rrethanave të jashtëzakonshme”.

Kur salla e seancave jehonte nga kërkesa për proces të hapur, prokuroria arsyetohej me pretendime për frikësim të dëshmitarëve.

Por në një moment, ajo u zu ngushtë, dhe narrativa e saj ishte e pasaktë.

Gjyqtari Smith: Ndonjë informacion se ku ka ndodhur një frikësim?

Prokurori Quick: Shkëlqesia Juaj, nuk mendoj se mund të diskutoj për incidente apo raste individuale.

Gjyqtari Smith: Çfarë thoni?

Prokurori Quick: Nuk mendoj se mund të diskutoj për incidente apo raste individuale.

Gjyqtari Smith: Nuk po ju kërkoj të diskutoni për individë. Po ju pyes, a keni ndonjë?

Prokurori Quick: Shkëlqesia Juaj, nuk kemi.

Në vende demokratike, një proces i hapur për publikun është parim universal i drejtësisë dhe e drejtë themelore e të akuzuarve.

Çuditërisht kjo nuk u aplikua në Speciale.

Me mbylljen e seancave, qytetarët e Kosovës janë përjashtuar nga mundësia për ta kuptuar vërtetësinë e provave, besueshmërinë e dëshmitarëve, metodat e prokurorëve, pozicionimin e gjyqtarëve dhe argumentimet e ekipeve mbrojtëse.

Dhe me të drejtë lind pyetja: qysh dreqin do të shkruhet e thuhet ai vendim në emër të popullit?

Ben Emmerson

“Si në emër të Zotit do të shkruani një aktgjykim që ka kuptim për provat që janë dëgjuar në seancë të mbyllur”.

Pra, a mund ta legjitimoni një proces gjyqësor që ia përplasi dyert publikut dhe që ia shkelmoi parimet universale të drejtësisë?

Luka Misetic

“Shqyrtimi i parashtrimeve përfundimtare të ZPS-së është si të lexosh një kritikë filmi të shkruar nga dikush që nuk e ka parë filmin.”

Gjashtë vitet e procesit më të madh për luftën e Kosovës për liri kanë treguar qartë se Gjykata Speciale u mbyll sepse u frikësua se një gjykim i hapur do të tregonte dobësinë e skajshme të provave, prejardhjen e dyshimtë të tyre dhe ekzagjerimin e lëndës përmes thashethemeve dhe keqinterpretimeve të qëllimshme.

Kur gjyqtarët ta hartojnë vendimin, të bazuar mbi 5.400 prova dhe mbi 29 mijë faqe transkripte nga seancat, shumë prej tyre të censuruara për publikun, nuk do të vendosin vetëm për Thaçin, Veselin, Krasniqin dhe Selimin.

Do të vendosin nëse do të rishkruhet historia e lirisë së Kosovës në aleancë me Perëndimin nga një gjyq sekret e politik, me shumë devijime e pikëpyetje të mëdha.