Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se nuk ka asnjë bazë ligjore që ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po gjykohen për krime lufte në Hagë të dënohen.
“Nuk ka bazë ligjore, nuk ka bazë morale dhe nuk ka asnjë logjikë që këta njerëz të shpallen fajtorë. Po të ishin të këqij themeluesit e UÇK-së dhe vetë UÇK-ja, NATO nuk do të kishte ndërhyrë kurrë. Kjo e bën gjithë këtë proces të padrejtë dhe të pabazuar në realitet”, tha Haradinaj në një intervistë për VOX Kosova.
“Ushtria Çlirimtare e Kosovës, qoftë luftëtar i thjeshtë, komandant apo udhëheqës politik, ka qenë ushtri çlirimtare. Ata ishin njerëz që mbrojtën familjet e tyre dhe diçka të shenjtë – atdheun. Të njëjtën gjë bëri edhe NATO, e cila ndërhyri për ta mbrojtur Kosovën. Ne e kishim filluar këtë mbrojtje më herët”, shtoi.
Haradinaj ka theksuar gjithashtu se Gjykata Speciale “është krijuar gabimisht”, pasi sipas tij, në thelb “është etnike dhe e njëanshme”.
“Ajo lidhet drejtpërdrejt me luftën e Kosovës, por nuk i ndjek penalisht ata që realisht kanë kryer krime. Në këtë rast, do të duhej të trajtoheshin të paktën dy palë. Dihet botërisht se pala që ka kryer krime është regjimi serb, forcat shtetërore të Serbisë dhe aparati i Millosheviçit, përfshirë strukturat ushtarake dhe paramilitare”, potencoi ai.
“Kërkesat e Prokurorisë për dënime janë të palogjikshme dhe të papranueshme. Ato nuk bazohen në baza ligjore të qëndrueshme, as në realitetin e asaj që ka ndodhur në Kosovë gjatë luftës. Këto kërkesa nuk janë në përputhje me të vërtetën historike dhe me vuajtjet e popullit të Kosovës”.








