“Shqyrtimi i parashtrimeve përfundimtare të ZPS-së është si të lexosh një kritikë filmi të shkruar nga dikush që nuk e ka parë filmin”, kishte deklaruar avokati i Hashim Thaçit në shkurt të 2026-tës.
Dhe kështu rezultoi edhe epilogu i këtij procesi.
Një aktgjykim që u thirr në emër të popullit, por që, veç për popullin, nuk ishte i qartë.
Ka kaluar një janë dhe askush s’e ka të qartë për cfarë saktësisht u dhanë 81 vjet burgim për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Është edhe për këtë arsye që ka zënë vend një revoltë e madhe që po mbush sheshet e Prishtinës e të Evropës cdo natë.
“Gjatë marrjes së vendimit në lidhje me këtë aspekt, trupi gjykues u udhëhoq nga parimi se roli i tij është të vërtetojë provat për të përcaktuar të vërtetën dhe për të siguruar që drejtësia të vihet në vend”, deklaron kryesuesi i trupit gjykues, Charles Smith.
Epo, ky trup gjykues nuk ia doli ta përmbushte këtë parim.
81 vite u shqiptuan sikur të mos ishin asgjë, pa asnjë fakt e provë konkrete.
Madje, në këtë gjykim nuk u përmbush as standardi “përtej dyshimit të arsyeshëm”.
“Shumë dëshmitarë treguan pasojat afatgjata psikologjike të vuajtjeve të tyre. Në veçanti, disa dëshmitarë treguan se vuanin nga dhimbjet e kokës, problemet me gjumin dhe depresioni afatgjatë”, kishte vazhduar Smith.
Shiheni, as për diçka kaq të thjeshtë nuk u paraqit as edhe një provë e vetme.
Të paktën për këto, mund të kishte raporte mjekësore. E çuditshme.
Por nuk kishte se si të ndodhte ndryshe.
Ky proces, që nga fillimi, ishte sekret.
A e dini se, nga 270 dëshmitarë gjithsej, 138 dëshmi u janë dorëzuar me shkrim, dëshmi për përmbajtjen e të cilave publiku kosovar nuk ka asnjë ide?
Apo e dini se 70 dëshmitarë, mbi fjalët e të cilëve u prek historia e popullit tonë, kishin dalë pa fytyrë, pa zë e pa emrin e tyre?
Mbi këtë bazë, jo vetëm që u dënuan katër ish-udhëheqës të UÇK-së, veç e veç, por u dënua edhe vetë UÇK-ja, si Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale.
“Sikurse ka thënë profesori Howard Zinn, nuk ka flamur aq të madh sa të mbulojë turpin e vrasjes së njerëzve të pafajshëm”, thotë gjyqtari Smith.
Zoti Smith, nuk ka as flamur aq të madh sa të mbulojë turpin e dënimit të dikujt pa prova konkrete dhe në një gjyq ekstremisht të panjohur.
Mbi të gjitha, një gjyqtar që pranon si prova dëshmi të dërguara me shkrim, në vend të dëshmive të ish-funksionarëve të lartë të shtetit amerikan.
Ky është edhe paradoksi i madh i krejt ngjarjes, gjykata që u themelua për të qartësuar hijet e së kaluarës, përfundoi duke errësuar krejt pamjen.








