Frank Caprio, gjyqtari i pensionuar komunal në Rhode Island, i cili fitoi famë ndërkombëtare në internet si një gjykatës zemërgjerë dhe drejtues i emisionit “Caught in Providence”, ka ndërruar jetë në moshën 88-vjeçare.
Në njoftimin zyrtar në rrjetet e tij sociale, të mërkurën u bë e ditur se Caprio “u nda nga jeta në paqe” pas një “lufte të gjatë dhe të guximshme me kancerin e pankreasit.”
Caprio e përshkruante sallën e tij të gjyqit si një vend “ku njerëzit dhe rastet trajtohen me mirësi dhe dhembshuri.” Ai njihej për mënyrën se si shpesh i falte gjobat apo shfaqte humanitet edhe kur duhej të jepte drejtësi.
Javën e kaluar, Caprio kishte postuar një video të shkurtër në Facebook, ku tregonte se kishte pasur një “përkeqësim”, ishte rikthyer në spital dhe kërkonte nga ndjekësit që “të më përmendni në lutjet tuaja.”