Geoffrey Nice, ish-prokuror i Tribunalit Ndërkombëtar për ish-Jugosllavi në Hagë, e ka konsideruar si të panevojshme e të ndikuar politikisht Gjykatën Speciale, e cila po gjykon krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për krime të pretenduara lufte.
Nice, që udhëhoqi ndjekjen penale kundër Sllobodan Millosheviç-it, kërkesën e Prokurorisë së Speciales për dënim nga 45 vjet burg për secilin nga krerët e UÇK-së, e ka quajtur “të pazakontë”, derisa për vetë Gjykatën tha se që nga fillimi ka pasur qëllime “të tërthorta”.
Ai deklaron se nuk e ka parashikuar që të themelohej një gjykatë e re, pas asaj për ish-Jugosllavi, për hetimin e krimeve të luftës, aq më pak që të merrej me vetëm një grup të caktuar.
Nice ka treguar se pas përfundimit të punës në Tribunalin Ndërkombëtar për ish-Jugosllavi, i ishte kërkuar që të shkruante një artikull për “London Review of Books”, për raportin e senatorit zviceran, Dick Marty, mbi bazën e të cilit u themelua edhe Gjykata Speciale.
Por, akuzat skandaloze të Marty-t, Nice thotë se ishin vetëm pretendime. Ai tregon se akuzat për trafikim organesh, siç i kishte bërë Marty ndaj UÇK-së, ishin bërë nga serbët edhe ndaj boshnjakëve dhe kroatëve.
“Akuzat në raport ishin për trafikim organesh, dhe ato nuk janë ndjekur; përkundrazi, përmes një lloj manovre, pothuajse si një truk, ato u shndërruan në akuza më të përgjithshme që çuan në gjykimin e Thaçit dhe të tjerëve. Ajo që njerëzve mund t’u duket interesant, nëse mund të gjenden këto gjëra interesante, është se akuzat për vrasje të njerëzve për t’u marrë organet për shitje janë një narrativë e njohur në konflikte”, tha Nice në një intervistë për KosovaPress.
“Është si ajo narrativë tjetër e njohur ku thuhet se njëra palë luan futboll me kokën e prerë të dikujt nga pala tjetër. I dëgjon këto akuza, por nuk e sheh kurrë ndeshjen e futbollit. Akuzat për atë që quhet ‘nxjerrje e detyruar e organeve’ janë bërë nga serbët kundër dy grupeve të tjera para se të bëheshin kundër Thaçit dhe shqiptarëve të Kosovës. Pasi ju tregova kaq shumë, ndoshta nuk do t’iu vijë si surprizë të dini se akuzat janë bërë në këtë rend: Së pari kundër kroatëve. Pastaj kundër myslimanëve boshnjakë dhe më pas kundër shqiptarëve të Kosovës”, shton ai.
Ish-prokurori britanik thekson se në asnjë nga këto raste “nuk është vërtetuar që akuzat kanë pasur ndonjë bazë reale”.
“Ka pasur një akuzë krejtësisht tjetër dhe madje një gjykim për nxjerrjen e veshkave, ku natyrisht njerëzit mund të heqin një veshkë për para, sepse mund të funksionojnë me tjetrën. Ky gjykim kishte të bënte më shumë me aktivitete të tilla dhe nuk kishte asnjë lidhje me akuzat kundër Thaçit, për të cilin në këtë aspekt nuk ka prova”, deklaron ai.
Nice thekson se që nga fillimi, e kishte ndjerë se Gjykata Speciale kishte “qëllime të tërthorta”.
“Që në fillim ndjeva se kishte gjasa që të ishte një gjykatë e krijuar për qëllime të tërthorta. Pastaj erdhi një moment kur u punësova për të bërë disa punë për ta përgatitur më mirë Kosovën për t’u përballur me atë që po ndodhte ose që pritej të ndodhte në gjykatë, dhe ajo punë zgjati rreth një vit, dhe përfundoi vetëm kur Qeveria e Kosovës, më duhet ta them jo çuditërisht, thjesht nuk ishte në gjendje të bënte atë që kishte synuar të bënte, dhe unë duhej ta përfundoja atë angazhim, sepse nuk kishte kuptim të vazhdoja ndryshe. Dhe kështu, unë isha aty me një koleg duke punuar për këtë, por unë isha përgjegjësi kryesor”, potencon ai.
Të panevojshëm themelimin e Speciales, Nice thotë se e ka konsideruar që nga fillimi.
Sa i përket epilogut të rastit ndaj ish-krerëve të UÇK-së: Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, Nice thotë se është e vështirë të parashikohet.
Ai edhe deklaron se nuk e ka parashikuar se ndonjëherë do të mund të themelohej një gjykatë e re për hetimin e krimeve të luftës, pas asaj për ish-Jugosllavi.
“Mendoj se do të kishte qenë shumë e vështirë të parashikohej që të krijohej ndonjë tribunal tjetër, duke qenë se krimet e pretenduara në çdo tribunal tjetër do të mund të trajtoheshin në Gjykatën e Hagës, ICTY, Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë”, pohon ai.
“Pra, pse të krijohej një tribunal tjetër?”, pyet ai.
“Tani mund të thuhet se deri në momentin kur u vendos se mund të kishte prova kundër Thaçit dhe të tjerëve, mandati i tribunalit jugosllav kishte përfunduar, por nuk kishte asgjë që të ndalonte njerëzit të kërkonin zgjatjen e mandatit, në mënyrë që çështjet të trajtoheshin aty”.
Por, një tjetër gjë që do t’i dukej çdo juristi jashtëzakonisht e pamundur, sipas tij “është që të krijohej një tribunal që do të gjykonte vetëm njërën palë të një konflikti që nga disa shihet si ndarje etnike”.
Ai pyet se “pse vetëm shqiptarët e Kosovës?”. “Dhe nuk besoj se nëse do ta diskutonit këtë me ndonjë jurist kudo, do të mendonte se kjo është diçka normale”.
“Pra, edhe pse nuk e kisha menduar kurrë krijimin e këtij tribunali, po ta kisha menduar, nuk do të kisha pritur kurrë një të tillë”, deklaron ai ndër të tjera.









