“Gjenocid ndaj drejtësisë”, e ka quajtur Artan Behrami nga Partia Demokratike e Kosovës audio-incizimin e publikuar nga VOX Kosova në të cilin dëgjohet përmbajtja e ligjëratës të zyrtarëve të Gjykatës Speciale, dhënë në institucionet arsimore në Kosovë. Siç shprehet Behrami, përmes këtyre veprimeve, Specialja po tenton “risetimin e trurit të të rinjve në Kosovë”.

“Tash e pesë vjet, shteti i Kosovës me vetdëshirë, pa asnjë rezistencë, i është nënshtruar narracionit se çdo kritikë kundër Gjykatës Speciale përbën ndërhyrje në drejtësi. Në të njëjtën kohë, para syve të shtetit, me miratimin e tij, me amnistimin e tij, Gjykata Speciale shpërndan propagandën e Serbisë në Kosovë”, theksoi në reagim Behrami.

VOX Kosova ka publikuar sot audio-incizimin në të cilin dëgjohet se si zyrtarët e Gjykatës Speciale, në një ligjëratë u shpjegojnë nxënësve si krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, po edhe vetë UÇK-ja në përgjithësi, sipas aktakuzës së ngritur, paska kryer krime kundër njerëzimit.

Tek përmbajtja e ashtu quajtur procedurale, qëndron tronditja e vërtetë.

Për një orë të tërë, zyrtarët e Speciales, në një ligjëratë të quajtur informative, shfaqin influencë që ngjan me propagandë.

Ata nuk hezitojnë të shpjegojnë e përfolin aktakuzën kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

“Sipas aktakuzës së konfirmuar, krime lufte si ndalimi arbitrar, trajtimi çnjerëzor, tortura, vrasja, si dhe forma të ndryshme të krimeve kundër njerëzimit, dyshohet se janë kryer të paktën nga marsi i vitit 1998 deri në shtator të vitit 1999 në vende të ndryshme në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë. Këto krime dyshohet se janë kryer nga pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kundër serbëve, kundër popullatave të tjera, pakicave të tjera, por gjithashtu në masë të madhe edhe kundër shqiptarëve ë perceptoheshin si bashkëpunëtorë, rezervistë, e kështu me radhë”.

Në incizimin rreth një orë që e posedon VOX Kosova, zyrtarja, Ana Profoziç dhe kolegu i saj Paul Landers, në asnjë moment nuk paraqesin versionet e palës mbrojtëse për të balancuar rrëfimin”.

Pra asgjë nga dëshmitarët apo avokatët e ish krerëve të UÇK-së.

Aq më pak të kujtohen të paraqesin qartë e thellësisht tek nxënësit atë që drejtësia garanton, pafajësi për të akuzuarit, deri në provimin e të kundërtës.

Pra pa dhënë perspektivë neutrale, aq më pak qëndrimet e të gjitha palëve, zyrtarja Profozic vijon me këmbëngulje me aktakuzën e dytë ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve për “administrim të drejtësisë”.

“Tani do të kaloj te rasti tjetër që përfshin Hashim Thaçin, të cilin e përmenda shkurtimisht më herët. Pra, bëhet fjalë për rastin që lidhet me pengimin e administrimit të drejtësisë, siç e thashë. Sipas aktakuzës së konfirmuar, Hashim Thaçi po i shqyrtonte vizitorët e tij. Ai u jepte atyre detaje të ndjeshme dhe të mbrojtura lidhur me dëshmitarët që pritej të dëshmonin në rastin e mëparshëm për krime lufte. Ai i udhëzonte vizitorët e tij që të ktheheshin në Kosovë për t’iu afruar atyre dëshmitarëve dhe për t’u thënë atyre se si të dëshmonin ose që të refuzonin të dëshmonin, e kështu me radhë, me qëllim që të ndikohej te dëshmitarët”.