Robert Bosch, ish ambasadori i Holandës në Kosovë, ka thënë se i gjithë procesi i gjykatës speciale do duhej të ishte ndalur kur ranë akuzat dhe pretendimet për trafikim organesh, pasi kjo ishte edhe vetë thelbi i krijimit të këtij trupi.
“I gjithë procesi ishte ngritur mbi pretendimin për trafikim organesh. Dhe kur trafikimi i organeve u zhduk, ata duhej ta kishin ndalur menjëherë gjithë procesin, mendoj unë”, tha Bosch.
Bosch komentoi edhe presionin që bashkësia ndërkombëtare i kishte bërë ish presidentit Thaçi për krijimin e gjykatës speciale, duke e quajtur si jo të drejtë, por se edhe atij i është dashur ta bënte si shkak i direktivave nga Amsterdami.
“Natyrisht, edhe mua më është dashur ta bëj këtë sepse kam marrë udhëzime nga qeveria ime. Por në fakt, unë nuk jam pajtuar me këtë, dhe mendoj se nuk ka qenë e drejtë”, shtoi Bosch.








