Xhelal Sveçla, Ministër në detyrë i Punëve të Brendshme, është shpallur fajtor nga Gjykata Themelore në Prishtinë, për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend më 21 mars 2018.

Sveçla u shpall fajtor për veprën penale “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm”. Ndërsa, gjykata mori aktgjykim refuzues për veprën penale “Pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare”, për të cilën ka arritur parashkrimi i ndjekjes penale.

Vendimi u mor në seancën gjyqësore të së mërkurën nga gjykatësi i rastit, Sabit Sadikaj, raporton Betimi për Drejtësi.

Vendimi mbi dënimin e Sveçlës do të shpallet pas mbajtjes së seancës ku palët do të paraqesin rrethanat lehtësuese dhe rënduese, e cila do të mbahet më 8 shtator 2026.

Sveçla mungoi në seancë. I pranishëm ishte avokati i tij, Laur Prenaj.

Prokurori Avni Namani njoftoi në seancën e 28 gushtit 2026, se organi i akuzës ka ndryshuar dispozitivin e aktakuzës ndaj Sveçlës.

Sveçla, në bazë të aktakuzës së ndryshuar, më 21 mars 2018, nga ora 12:10, deri më orën 15:40, në sallën e seancave plenare të Kuvendit, gjatë mbajtjes së një seance, akuzohej se ka përdorur bombolën e gazit lotsjellës me përmbajtje të agjentit kimik CS/

Sipas organit të akuzës, në disa raste, Sveçla e aktivizuar bombolën e gazit lotsjellës dhe e ka hedhur brenda sallës së Kuvendit, pa parlajmërim paraprak dhe pa ua dhënë mundësinë personave të pranishëm për t’u larguar.

Gazi irritues, si pasojë, thotë aktakuza, është përhapur në hapësirat e mbyllura të sallës, duke bërë që personat e pranishëm, nga frika për shëndetin dhe sigurinë e tyre, të detyroheshin ta lëshonin sallën dhe seanca të ndërpritej.

Në këtë drejtim, Prokurori Namani tha se Sveçla akuzohet për veprën penale “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm, nga neni 375, paragrafi 2 i Kodit Penal të vitit 2012.

Organi i akuzës ka hequr dorë nga ndjekja penale për veprën “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”, për shkak të parashkrimit të kësaj vepre. Pjesa tjetër e aktakuzës ka mbetur e pandryshuar.

Bashkë me Sveçlën, po akuzohet edhe Ministrja në detyrë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, deputeti i Vetëvendosjes, Salih Zyba dhe ish-deputetja e VV-së, Drita Millaku.

Në seancën fillestare të këtij rasti, e cila ishte mbajtur më 26 mars 2024, të katër të akuzuarit ishin shpallur të pafajshëm.

Aktakuza ndaj Sveçlës, Pacollit, Zybës dhe Millakut ishte ngritur në vitin 2021.