Më 16 shtator keni mundur të dëgjoni gjyqtarin Charles Smith se si deklaronte se udhëheqësit e UÇK-së “vepruan së bashku…” dhe “u pajtuan së bashku për një qëllim të përbashkët kriminal” dhe se ndërtuan një sistem për ta realizuar këtë qëllim.

Por, kjo nuk është hera e parë që dikush formuloi diçka të tillë për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Ekziston një intervistë Slobodan Millosheviçit e dhënë për gazetarin amerikan Ron Hatchett, me 19 prill 1999 në Beograd, ku i pagëzuari si Kasapi i Ballkanit formulon saktësisht të njëjtin pretendim për UÇK-në.

“UÇK-ja — vrasës, përdhunues, rrëmbyes, të cilët terrorizojnë jo vetëm serbët dhe popullsinë tjetër joshqiptare në Kosovë. Ata terrorizojnë gjithashtu edhe shqiptarët. Më duhet t’ju them se gjendja e shqiptarëve në Kosovë është tragjike. Ata po manipulohen. Ata po terrorizohen. Nga këta vrasës dhe rrëmbyes, këta përdhunues dhe trafikantë droge”.

Dhe kjo nuk është ngjashmëria e vetme.

I tërë aktgjykimi i gjyqtarëve të Gjykatës Speciale që dënoi me 81 vjet burgim Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin, është riprodhim jo veç në logjikë, por edhe në terminologji, i asaj që e thotë Millosheviçi për UÇK-në në vitin 1999.

Millosheviç në këtë intervistë deklaronte se UÇK i terrorizonte shqiptarët në këmbim të mbështetjes së detyrueshme.
“Ata vrisnin shqiptarë për t’i disiplinuar, për t’u dërguar mesazhin se të gjithë duhej ta mbështesnin UÇK-në, se duhej t’u paguanin shumat e përcaktuara dhe se duhej të bëheshin rekrutë ose të paguanin kur thirreshin nën të ashtuquajturin flamur të UÇK-së”.

Të njëjtin konstatim mund ta gjeni edhe tek aktgjykimi i Gjykatës Speciale.

Ngjashmëria tmerruese vazhdon.

Millosheviçi në këtë intervistë thotë se “Ata vrisnin shqiptarë për t’i disiplinuar”.

Gjyqtari Charls Smith po ashtu deklaron se “disa nga pjesëtarët e UÇK-së të përfshirë shkaktuan qëllimisht dëm dhe vuajtje të rënda fizike dhe psikologjike ndaj të paktën 303 personave, me qëllim marrjen e një rrëfimi, ndëshkimin, frikësimin, detyrimin ose diskriminimin e tyre mbi baza etnike ose politike”.

Ja edhe një deklarim krejt identik. Madje edhe vetë formulimi.

Charls Smith thotë në aktgjykim “targetimi dhe vrasja, para luftës, e shqiptarëve etnikë si bashkëpunëtorë të dyshuar”.

Dhe ky konstatim, kur e dëgjojmë atë të Millosheviçit, ngjan pothuajse si përsëritje mekanike.
“Po ju jap një fakt të thjeshtë. Kur shikoni numrin e qytetarëve paqësorë të vrarë nga UÇK-ja në Kosovë, numri i shqiptarëve të vrarë nga e ashtuquajtura Ushtria Çlirimtare e Kosovës është dy herë më i madh se numri i serbëve të vrarë”.

Ka edhe pjesë të tjera që ri-tregojnë pretendimet e Millosheviçit mbi UÇK-në veçse tash të kthyera në një aktgjykim dënues dhe me pasoja shumë më të rënda.

Dhe kjo përsëritje e disiplinuar nuk është rastësi.

Nga raporti famëkeq i Dick Martyt e te aktakuza e Prokurorisë Speciale, gjurma serbe shfaqet gjithandej, jo vetëm si burim informacioni, por si dorë e parë e furnizimit me materiale që i dhanë formën fiksonit të shndërruar në dënim.

Prandaj, kjo s’është aq e befasishme, sa shkakton befasi një ngjashmëri e frikshme e deklarimeve të tjera të Millosheviçit në këtë intervistë me – besoni ose jo, një ministër aktual të Kosovës.

Dëgjojeni njëherë Millosheviçin.

“Ajo lëvizje separatiste (UCK) nuk përdorte armë përpara se përfaqësuesi juaj të vinte dhe t’u thoshte që t’i përdornin ato, t’u jepte armë dhe të bënte një pakt me vrasës, përdhunues, kriminelë dhe trafikantë droge, të mbledhur nga nëntoka kriminale evropiane, në mënyrë që ata të mund të organizoheshin në të ashtuquajturën Ushtria Çlirimtare e Kosovës”.

Pra Millosheviçi i quan ushtarët e UÇK-së trafikant droge të mbledhur nga nëntoka evropiane.

E di që ky formulim ju tingëllon i njohur, sepse keni mundur ta lexoni identik te punimi i ministrit Dimal Basha.

Ai në këtë shkarravinë shkruan veç tjerash se “fondet për UÇK-në vinin… nga trafikantë droge që vepronin në të gjithë Evropën Perëndimore…”.

Frazim 100 për qind si i Millosheviçit nga një shqiptar që vazhdon të jetë ministër në Kosovë në qeverinë “patriotike” të Albin Kurtit.

Dhe s’mjaftohet me kaq, punimi i Bashës vazhdon ta barazojë Millosheviçin duke shtuar se “Kjo mbështetje nuk kufizohej vetëm në para; trafikantët e drogës dërgonin gjithashtu burra të armatosur për të luftuar përkrah UÇK-së dhe blinin armë në emër të UÇK-së”.

Dhe ka akoma.

Basha e plotëson shkrimin duke thënë se “ekzistojnë raste të njohura gjyqësore nga Gjermania, Italia, Belgjika dhe Republika Çeke, të cilat sugjerojnë fuqishëm një lidhje ndërmjet trafikantëve të drogës dhe UÇK-së”.

I pashpjegueshëm dhe i pabesueshëm është ky skenar ku pretendimet që dikur dilnin nga goja e Millosheviçit, tash kthehen në vulën e aktgjykimit dhe pas një çerekshekulli na kërkojnë ta përbijmë një dënim të shpallur qysh në vitin 1999 nga përgjegjësi për qindra masakra e qindra mijëra vrasje.