Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka bërë të ditur se nuk e ka pezulluar vendimin për liberalizimin e tregut të energjisë elektrike, ndonëse Gjykata Komerciale njoftoi se ka pezulluar përkohësisht zbatimin e këtij procesi.

Kjo ka të bëjë vetëm me një rast, pra me një kompani të veçantë dhe siç thonë ata, nuk ndikon në të gjitha bizneset.

“Gjykata Komerciale, përmes aktvendimit ka aprovuar si të bazuar propozimin e paditësit, por kjo nuk nënkupton pezullimin e procesit të hapjes së tregut”, thuhet në reagimin e ZRRE-së.

Përfaqësues të bizneseve kishin protestuar dy herë në Prishtinë kundër këtij vendimi, i cili ka hyrë në fuqi më 1 qershor.

Kompanitë që kishin mbi 50 punëtorë ose qarkullim mbi 10 milionë euro janë të detyruara të furnizohen me energji nga tregu i lirë.