Institucionet e drejtësisë kanë vazhduar hetimet në një lokacion të tretë në lidhje me dyshimet për varrezë masive, pas Jabukës e Kalludrës së Vogël. Prokuroria Speciale në një komunikatë për media ka bërë të ditur se “prokurorja përgjegjëse ishte në vendngjarje së bashku me hetuesit nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës dhe ekspertët forenzikë për të mbikëqyrur veprimet hetimore”.

Siç bëri të ditur PSRK, “deri më tani, tre persona janë arrestuar nën dyshimin për kryerjen e veprës penale: Krime lufte kundër popullsisë civile”.

“Në fshatin Jabukë janë gjetur mbetje të cilat do t’i nënshtrohen ekzaminimeve mjeko-ligjore dhe analizave të ADN-së për identifikim, ndërsa gërmimet në fshatin Kalludër e Vogël po vazhdojnë”, shton Prokuroria.

Organi më i lartë i akuzës ka thënë se për shkak të fazës së ndjeshme të hetimit, “nuk do të mundë të jap informacione të mëtutjeshme”.