Policia e Kosovës në bashkëpunim të ngushtë me AKI-në dhe prokurorinë ka arrestuar të martën Fatmir Shehollin, me dyshimet e bazuara për përfshirje në spiunazh.
Lajmi është bërë i ditur nga Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, përmes një postimi në Facebook.
“Pres trajtim institucional me seriozitet të lartë të këtij rasti, i cili përbën një nga aktet më të rënda ndaj sigurisë dhe rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”, shkroi Sveçla.
Kreu i MPB-së theksoi se “individë si ky që kanë pasur hapësira mediatike të pakufizuara në vendin tonë ka bashkëpunuar me akterë që çdo ditë punojnë e veprojnë për të minuar Republikën tonë dhe progresin e saj”.
Ai theksoi se mbesin të përkushtuar që ta mbrojnë vendin nga të gjitha qarqet që nuk hezitojnë ta rrezikojnë atë për çfarëdo përfitimi të tyre.
“Koha e spiunëve të Serbisë në Kosovë ka përfunduar. Kushdo që punon për Serbinë e kundër Kosovës do të ndiqet pa kompromis e pandalshëm. Republika duhet mbrojtur me përgjegjësinë më të lartë institucionale dhe morale”, pohoi ai ndër të tjera.









