Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj një personi me inicialet B.J, për veprën penale spiunazh dhe mbajtje e paautorizuar e armës. Sipas burimeve të VOX Kosova brenda organeve të rendit, nacionaliteti i të akuzuarit është serb.
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit B.J. për veprat penale ‘Spiunazhi’ dhe ‘Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve’”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Sipas aktakuzës, B.J., në cilësinë e zyrtarit policor me gradën toger, nga një periudhë kohore e pacaktuar deri më 17 korrik 2025, dyshohet se “në mënyrë të vazhdueshme dhe me dashje ka mbledhur dhe u ka dërguar zyrtarëve të Shërbimit Inteligjent të Serbisë, dokumente zyrtare të klasifikuara që ndërlidhen me sigurinë kombëtare dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës”.
Në aktakuzë theksohet se veprimet e pretenduara të të pandehurit kanë cenuar rëndë sigurinë kombëtare, rendin kushtetues dhe funksionimin institucional të Kosovës.
Në këtë drejtim, Prokuroria i ka propozuar Gjykatës ndalimin e ushtrimit të funksioneve në administratën publike në kohëzgjatje prej 5 vitesh, vazhdimin e masës së paraburgimit ndaj B.J., konfiskimin dhe asgjësimin e një arme, para të gatshme në shumën prej 2,000,000.00 dinarë, 500 franga si dhe 7003 euro, si pasuri e fituar me kryerjen e veprës penale.
Më 27 prill, ish-zyrtarja e misionit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), Jelena Gjukanoviç, u dënua me 6 vjet burgim nga Gjykata Themelore në Prishtinë për spiunazh.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë, si zyrtare e misionit të OSBE-së në Kosovë ajo ka përcjellur informacione për agjentin rezident të agjencisë serbe të inteligjencës, Aleksandër Vlajiç, të cilat më pas janë transmetuar te zyrtarët e lartë të BIA-s në Beograd.
Këta nuk janë të vetmit që janë dënuar apo kanë aktakuza për spinuazh.
Në nëntor të vitit 2025, Fatmir Sheholli u arrestua si i dyshuar për spiunazh.
Po ashtu, Muharrem Qerimi dhe Bedri Shabani janë arrestuar më 2025-në e ndodhën në paraburgim nën akuzën se kanë shërbyer për BIA-n serbe.
Muharrem Qerimi, përveç dhënies së informatave për UÇK-në, Policinë e Kosovës dhe AKI-në, akuzohet se i dërgoi BIA-s edhe të dhëna në lidhje me dëshmitarët e Gjykatës Speciale.
Bedri Shabani akuzohet se ka informuar Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Serbisë, e njohur si BIA, para fillimit të luftës së viteve 1998-99 në Kosovë dhe deri në arrestimin e tij në vitin 2024.
Ai akuzohet se kishte konstruktuar materiale për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), masakrën e Reçakut, Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI) dhe Policinë e Kosovës.
Hysri Selimi është personi tjetër që ka aktakuzë për spiunazh në favor të Serbisë e dëm të Kosovës. Ai dyshohet se kishte bashkëpunuar me BIA-n “nga nëntori i vitit 2009 deri në momentin e arrestimit më 6 maj 2025”, dhe se kishte “udhëtuar në Siri, duke iu bashkuar organizatës terroriste ISIS”.









