Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj ish zyrtares së OSBE-së, me inicialet J.GJ – që ishte arrestuar në shkurt të këtij viti në pikën kufitare në Jarinjë – nën dyshimin për spiunazh te BIA serbe.
“J.GJ. akuzohet se nga data e pacaktuar, e deri në momentin e arrestimit më 28.02.2025, në cilësinë e zyrtares të Misionit të OSBE-së në Kosovë, me vetëdije dhe me dashje ka kryer veprime të përsëritura që përbëjnë ndihmë aktive për veprimtarinë informative të një shërbimi të huaj, konkretisht të Agjencisë për Inteligjencë dhe Siguri të Serbisë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
E pandehura, e cila mbante pozitën “Zyrtare e Programit Kombëtar” në Qendrën Rajonale të OSBE-së në Regjionin e Mitrovicës, akuzohet se ka siguruar dhe shpërndarë dokumente dhe informacione të ndjeshme për interes të BIA-s.
Këto veprime, sipas Prokurorisë, kanë cenuar rendin kushtetues dhe sigurinë kombëtare të Kosovës, si dhe kanë vënë në rrezik jetën dhe sigurinë e zyrtarëve shtetërorë, qytetarëve dhe personelit ndërkombëtar të OSBE-së në Kosovë.
“Sipas provave të siguruara gjatë hetimeve, informacionet e siguruara nga J.GJ, janë transmetuar tek zyrtarët e lartë të BIA-s, përkatësisht R.G., përgjegjës i BIA-s për Rajonin e Novi Pazarit në Serbi, dhe zyrtari L.B., ku me këtë të fundit, e pandehura në disa raste edhe është takuar në Beograd të Serbisë”.
Prokuroria Speciale i ka propozuar Gjykatës vazhdimin e masës së paraburgimit, dhe pas shqyrtimit gjyqësor, e pandehura “të shpallet fajtore për veprën penale që i vihen në barrë dhe ndaj saj të shqiptohet dënim konform ligjeve në fuqi”.