Një Polic i Kosovës ia vendosi gjurin në qafë Agon Zejnullahut – derisa ai nuk pati më zë dhe nuk mori më frymë.
Vendosja e gjurit në qafë ka qenë subjekt polemikash për vite me radhë.
Në Kosovë, Ligji për Policinë mbron jetën e secilit dhe garanton sigurinë e të gjithëve, pa dallim.
Neni 10 i ligjit e bën të qartë që policët janë të obliguar të
– mbrojnë jetën, pronën dhe të ofrojnë siguri për të gjithë personat;
– mbrojnë të drejtat dhe liritë themelore të të gjithë personave;
Pra, për të gjithë personat, pa dallim. S’ka lidhje a je i dehur apo jo.
Neni 26 i Ligjit thotë se “në rastet e përdorimit të forcës, zyrtari policor duhet të përpiqet ta minimizojë ndërhyrjen në të drejtat dhe liritë e personit dhe të minimizojë çfarëdo pasoje të dëmshme.”
Metoda e përdorimit të gjurit në qafë nuk përmendet askund në programet e trajnimit, apo në teknikat e kontrollit fizik.
As në kontrollin e butë duarthatë, as në kontrollin e fortë duarthatë, nuk përmendet asnjëherë qafa si cak i lejuar për përdorimin e asnjë lloj force.
Përkundrazi, kur flitet për goditjet më të forta, theksohet qartë se cak janë pjesët masive muskulore — këmbët, duart, kraharori — pikërisht për të shmangur lëndimet serioze që mund të rrezikojnë jetën.
Vendosja e gjurit në qafë është e ndaluar edhe në Shqipëri.
Pas rastit famëkeq në SHBA, ku një polic amerikan mbyti me gju qytetarin George Floyd, një valë e madhe protestash vërshoi tërë SHBA-në.
Pas kësaj, filluan masat konkrete për të ndaluar përdorimin e kësaj “teknike”.
New Yorku, California, Florida, Washington DC, Chicago, Houston menjëherë ndaluan përdorimin e gjurit mbi qafë.
Më 2022, Presidenti amerikan, Joe Biden, nënshkroi urdhrin për ndalimin e përdorimit të forcës mbi qafë në gjithë SHBA-në.
“Bashkëkombasit e mi amerikanë, ne duhet të bëhemi së bashku për të shëruar shpirtin e këtij kombi”.
“Ishte gju në qafën e drejtësisë dhe ishte pamje që nuk mund të harrohej.”
Më pas, Franca ndoqi shembullin e tyre.
Por, çfarë ndodhi me rastin e Agonit?
Pamjet janë të qarta. Në momentin e arrestimit, Agoni doli nga vetura me duar pas koke dhe nuk bëri rezistencë të dhunshme.
E megjithatë, kjo nuk e ndaloi njërin nga policët që t’ia vendosë gjurin mbi qafë.
Dhe në fund… policët, në vend se t’i jepnin ndihmën e parë Agonit, ashtu siç detyrohen me Nenin 188 të Kodit Penal, ata i hodhën një shishe uji në fytyrë – si për të provuar ta lajnë gabimin e tyre.
Në fillim, tentuan ta fshehin si ngjarje. Por, dështuan, sepse e vërteta doli në pah. Pastaj, provuan ta krijojnë rrëfimin se Agoni ishte agresiv, e i dehur.
Ia tërhoqën zvarrë emrin nëpër baltë, vetëm pak orë pasi iu mor jeta.
Në vend të drejtësisë, i hodhën baltë. Në vend të llogaridhënies, ia ngjitën njollën.
Ligji dhe trajnimet zyrtare nuk e lejojnë, nuk e përmendin dhe nuk e mësojnë një praktikë të tillë.
Vendosja e gjurit në qafë nuk është teknikë policore, por abuzim i rrezikshëm me forcën.
Dhe për këtë duhet llogaridhënie. Jo justifikim.