Ky lajm është përditësuar.

“I ke bë 100 vjet, ke mbetë pa martu. Gru e keqe”.

Këto janë fjalët skandaloze me të cilat deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fatos Geci, iu drejtua deputetes së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, në seancën e Kuvendit të martën.

Geci eskaloi në gjuhë denigruese ndaj Çitakut, pasi që Partia Demokratike e Kosovës e kundërshtoi deklaratën e tij ku kërkoi burgim të përjetshëm për krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), që po gjykohen nga Gjykata Speciale për krime të pretenduara lufte.

Deputeti Geci, në fjalën e tij në Kuvend, i tha PDK-së se “lideri i juaj suprem”, duke iu referuar Hashim Thaçit, do ta ketë fatin e njëjtë si të Naim Murselit, i cili u dënua të martën me burgim të përjetshëm nga Gjykata Themelore në Prishtinë për vrasjen e gruas së tij, Liridona Ademaj.

“Sot dua të përshëndes vendimin e Gjykatës për burgim të përjetshëm ndaj Naim Murselit dhe ju që shpresoni që një ditë lideri juaj suprem do të lirohet, do ta përcjellë i njëjti fat”, deklaroi Geci.

Ndaj kësaj deklarate, reagoi deputetja Çitaku. Nga foltorja e Kuvendit, ajo i tha Gecit se duhet të ndihet i turpëruar për këtë qëndrim.

“S’po di si me të thënë se me të thënë deputet nuk e meriton. Nuk kisha besu kurrë Kryetare e Kuvendit, deputetë të nderuar që nga foltorja e Kuvendit të Republikës së Kosovës vjen një lutje në formë urimi për dënim me burg të përjetshëm për njerëzit që kanë luftuar për lirinë e këtij vendi”, tha Çitaku.

Deklarata skandaloze e Gecit për ish-krerët e UÇK-së, u kundërshtua edhe nga Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, e cila ja ndali fjalën atij.