Me deklarimin se gjuha shqipe nuk është zyrtare në Maqedoninë e Veriut, Albin Kurti, sipas Kryetarit të Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ua ka bërë zemrën mal anti-shqiptarëve më të mëdhenj.
“Kam shokë në Vetëvendosje dhe ata nuk pajtohen me Albin Kurtin, me angazhimet e Albin Kurtit, lëre më që Albin Kurti i ka hidhëruar, irrituar e zemëruar shqiptarët e Maqedonisë me deklaratën e tij që ua bëri zemrën mal anti-shqiptarëve më të mëdhenj dhe nuk e di si i harroi Albin Kurti lotët e nënës së Afrim Kalanicës mbi varrin e djalit në Sllupçan”, tha Ahmeti në një intervistë për Klan Kosova.
“Afrim Kalanica, djali i ri, është vrarë për këtë gjuhë që e flasin bashkëluftëtarët e tij, që e flasin bashkëkombasit e tij në Maqedoni dhe Albini del e thotë se gjuha shqipe kurrë s’ka qenë zyrtare dhe se është kompetente Gjykata Kushtetuese të vendosë mbi Ligjin e Përdorimit të Gjuhëve”, shtoi ai.
Deklarata e Kurtit për gjuhën shqipe në RMV, sipas Ahmetit, ngjan sikur heronjtë e Kosovës, Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu, të dilnin dhe të thonin se ish-presidenti fashist i Serbisë, Slobodan Millosheviç, “me të drejtë e abrogon autonominë e Kosovës”.
“Kjo i ngjan asaj sikur të dilnim ne dhe të thoshim si Lëvizja Studentore që kemi qenë, Lëvizja Popullore e Kosovës që kemi qenë, Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu të dilte të thoshte që Millosheviç me të drejtë e abrogon autonominë e Kosovës”, potencoi Ahmeti.
“Sado e keqe që ishte autonomia,” konsideron ai, “përsëri ishte e keqja më e mirë për shqiptarët e Kosovës”.
“Të prekësh në Kushtetutën e Republikës tani, të prekësh në Marrëveshjen e Ohrit, ka ngjashmëri”, deklaroi kreu i BDI-së ndër të tjera.