Në një arë me misër në Ukrainën lindore, ushtarët lëshonin dronë drejt qiellit me ndihmën e një katapulte, duke synuar objektiva ushtarake në lindjen e vendit të pushtuar nga Rusia, dhjetëra kilometra larg.

“Po përqendrohemi në bazat e armikut në terren, depot e municioneve dhe sistemet e mbrojtjes ajrore,” tha komandanti i tyre nga Qendra e Parë e Forcave të Sistemeve Pa Pilot — një njësi elitare dronësh — i cili kërkoi të identifikohej vetëm me nofkën e tij ushtarake “Kyt”, që do të thotë “balenë”.

Ushtarët e tij kishin nxjerrë dronët nga arkat dhe i kishin montuar në vendin e lëshimit. Duke përdorur një kompjuter portativ, një ushtar programonte secilin dron me objektivin përkatës përpara se ai të vendosej në katapultë. Një tjetër ushtar ndizte helikën me një kaçavidë elektrike përpara se droni të lëshohej në qiell.

Ukraina po investon gjithnjë e më shumë burime në këto sulme të ashtuquajtura “të mesme”, që godasin mbrojtjen ajrore dhe logjistikën ushtarake ruse në një distancë prej 30 deri në 180 kilometrash pas vijës së frontit. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, tha këtë muaj se këto sulme janë katërfishuar që nga shkurti.

Zyrtarët ukrainas dhe analistët ushtarakë vlerësojnë se këto sulme kanë ndihmuar në ngadalësimin e avancimit rus, duke ndryshuar ritmin e luftës në fushëbetejë. Sipas hartës me burim të hapur DeepState, Rusia ka pushtuar vetëm rreth 50 kilometra katrorë territor gjatë këtij muaji.

“Prapavija e armikut nuk është më një strehë e sigurt,” deklaroi ministri i Mbrojtjes, Mykhailo Fedorov, 35 vjeç, i njohur për interesimin e tij në teknologji, duke njoftuar të mërkurën edhe 5 miliardë hryvnia shtesë (113 milionë dollarë) financim për njësitë më efektive të këtyre sulmeve.

QINDRA MISIONE

“Balena” tha se ky ishte vetëm një nga qindra misione të tilla.

Sipas tij, dronët e prodhuar në Ukrainë — të njohur si “Drakosha” ose “dragonjtë e vegjël” — mund të godasin çdo pjesë të Ukrainës së pushtuar dhe madje edhe territorin rus.

“Po depërtojmë gjithnjë e më thellë dhe kjo po rritet,” tha ai.

Që nga viti 2022, Rusia ka pushtuar rreth 12% të territorit të Ukrainës, sipas DeepState, që do të thotë se tani kontrollon rreth një të pestën e vendit, përfshirë territoret e pushtuara në Krime dhe Ukrainën lindore që nga viti 2014.

Instituti për Studimin e Luftës (ISW) tha se këto sulme po pengojnë aftësinë e Rusisë për të transportuar personel dhe pajisje drejt frontit duke goditur arterie kyçe, si autostrada M-14 që lidh Rostovin në Rusi me Krimenë dhe kalon përmes Mariupolit.

Analistët e mbrojtjes thonë se këto sulme nuk mund ta ndryshojnë të vetme rrjedhën e luftës kundër Rusisë, por po japin një efekt shtesë duke lehtësuar sulmet me dronë me rreze më të gjatë, të cilat po dëmtojnë infrastrukturën ruse të naftës.

“Balena” tha se lufta katërvjeçare ka treguar se njëra palë fiton përkohësisht avantazh teknologjik derisa pala tjetër arrin ta kompensojë.

“Ky është një proces i vazhdueshëm. Sapo ne gjejmë një teknologji, ata punojnë për ta neutralizuar atë,” tha ai, duke theksuar se Rusia ka përvojë të madhe në teknologjinë e mbrojtjes ajrore.

“Nuk duhet ta nënvlerësosh armikun.”