Në mbledhjen e parë të Qeverisë pasi që u rizgjodh Kryeministër, Albin Kurti u ka bërë thirrje partive opozitare për të zgjedhur çështjen e Presidentit, duke theksuar se do të ishte e pafalshme që vendi të shkojë sërish në zgjedhje.
“Përpara kemi çështjen e Presidentit dhe një marrëveshje politike mes subjekteve VV-së dhe LDK-së për kandidatin për President. Para nesh është sfida me qëndrimin e shprehur nga disa deputetë të LDK-së që nuk duan ta zbatojnë marrëveshjen e arritur me mund e përkushtim pas një procesi negociatash jo të lehta, të autorizuara nga kryesitë përkatëse”, tha Kurti.
“Jemi kaq afër zgjidhjes së Presidentit saqë do të ishte e pafalshme të shkojmë në zgjedhje serish për të ardhur përsëri në të njëjtën pikë. Andaj si Kryeministër, por edhe Kryetar i VV-së, ju bëj thirrje liderëve politikë, kolegëve të mi, deputetëve le ta zgjidhin çështjen e Presidentit. T’i japim vendit tonë institucionet në përputhje me vullnetin qytetar dhe le të ecim përpara së bashku ashtu siç i takon Republikës sonë e siç presin qytetarët tonë”, shtoi.
Kurti theksoi se është i bindur se “edhe një proces i panevojshëm zgjedhor jo vetëm që nuk do të sillte diçka të re sa i përket mozaikut politik në vend, por përfundimisht do të ishte papërgjegjësi ndaj interesit publik dhe pamaturi e madhe politike”.
Sipas tij, se gjetja e një kompromisi politik është e mundur dhe sjell rezultat është konstituimi i Kuvendit, duke iu referuar votimit të nënkryetarëve nga Lëvizja Vetëvendosje. “Një diskutim politik mes nesh, i hapur dhe i sinqertë, jam i bindur që do t’i sjellë vendit President të ri”, potencoi ai.
Të dielën u mbajt seanca e radhës konstituive. Por, përkundër se nënkryetari nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës nuk u zgjodh, Kryetarja Albulena Haxhiu e shpalli Kuvendin të konstituuar.
Disa orë më pas, VV-ja thirri seancë për votimin e Qeverisë.
Opozita – PDK, LDK dhe Aleanca – e bojkotuan. Të pranishëm ishin deputetët e VV-së, Listës Serbe dhe ata të komuniteteve joshumicë joserbe.
Një ditë më pas, të hënën, PDK iu drejtua Gjykatës Kushtetuese në lidhje me procedurat për konstituimin e Kuvendit, derisa paralajmëruan se do ta dërgojnë edhe formimin e Qeverisë.









