Zuliana Lainez, Kryetare e Federatës Ndërkombëtare të Gazetarëve, ka reaguar për gjobat e shqiptuara së fundmi nga Komisioni i Pavarur i Mediave në Kosovë. Lainez, në një video-adresim të publikuar nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, ka thënë se “demokracia ka nevojë për gazetari të lirë” dhe se “asnjë rregullativë shtetërore s’duhet të cenojë lirinë e shtypit”.
“Dua të konfirmoj mbështetjen e Federatës Ndërkombëtare të Gazetarëve për gazetarët në Kosovë dhe për organizatën tonë anëtare. Për ne, asnjë lloj rregullimi nuk duhet të cenojë rendin juridik ndërkombëtar, respektimin e lirisë së shtypit dhe vendosjen e sanksioneve ekonomike ndaj mediave që janë kritike, sepse kjo është një formë censure. Demokracia ka nevojë për gazetari të lirë. Solidaritet me kolegët tanë”, tha Lanez.
Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve përfaqëson rreth 600 mijë profesionistë të medias, të organizuar në 187 sindikata dhe shoqata në mbi 140 shtete të botës.
Së fundmi në Kosovë, Komisioni i Pavarur i Mediave, ka shqiptuar gjoba ndaj mediave me qasje kritike ndaj pushtetit, siç është rasti i Klan Kosovës.
Gjithashtu, KPM ka paralajmëruar edhe mbylljen e emisionit “Debat Plus” që transmetohet në Rtv Dukagjini.









