Nuk është çudi që Policia e Kosovës nuk ka infrastrukturë të dinjitetshme.
Kjo sepse paratë e destinuara për investime kapitale, Ministria e Punëve të Brendshme i ka hedhur diku tjetër për shkak të keqmenaxhimit.
Raporti i Auditorit për këtë ministri nxjerr në pah se hiç më pak se mbi 10 milionë euro janë marrë nga kategoria e investimeve kapitale për detyrime që në fakt kishin të bënin me paga dhe kompensime të policëve pas vendimeve gjyqësore.
Një tjetër gjetje alarmante lidhet me pagesën e 19 punonjësve të komunitetit serb, të cilët edhe gjatë vitit 2025 kanë vazhduar të marrin paga, megjithëse nuk kanë shkuar në punë. Sipas auditorit, për këta persona janë paguar gjithsej 119,999 euro nga buxheti i shtetit.
Po ashtu, paratë që duhej t’u takonin policëve që punojnë në terren dhe ekspozohen ndaj rrezikut, kanë përfunduar edhe te persona që nuk kanë qenë fare në kryerje të detyrës. Auditori ka zbuluar se Policia e Kosovës ka paguar 26,580 euro shtesa për kushte specifike të punës edhe për zyrtarë që ishin të suspenduar.
Tjetër, MPB-ja ka raportuar se mund të ketë për të paguar rreth 2.7 milionë euro për raste gjyqësore ose obligime të mundshme, por auditori ka gjetur se kjo shumë nuk është e saktë.
Problemi tjetër, që edhe u shfrytëzua në fushatë, është mosorganizimi i gradave.
Sipas Auditorit, plot 391 policë ushtrojnë funksione për të cilat kërkohet gradë më e lartë sesa ajo që posedojnë aktualisht.
Pra, kemi një ministër që krekoset me sukseset e Policisë, por për shkak të keqmenaxhimit ia humb shtetit rreth 11 milionë euro.
Miliona të hedhura dëm, persona që s’punojnë e paguhen e xhullurdi në strukturën e Policisë pa një sistem gradimi.
Kjo veç për ministrinë e Xhelal Sveçlës








