Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka shprehur mirënjohje për ish-Komandantin e NATO-s, Wesley Clark, gjatë luftës në Kosovë, duke theksuar se populli i Kosovës në periudhën më të vështirë të luftës, shihte tek ai shpresë.

Haradinaj ka thënë se edhe sot, kur pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po gjykohen në Hagë, populli i Kosovës dhe bashkëluftëtarët e UÇK-së vazhdojnë ta shohin Clarku-n si adresë të shpresës për drejtësi dhe pafajësi.

Këto komente ai i ka bërë përmes një postimi në Facebook, pasi që Clark është duke dëshmuar në Hagë si dëshmitar i mbrojtjes në gjyqin ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

“Në kohën e rrezikimit të ekzistencës, populli i Kosovës shpresën e kishte te ti. Sot, populli i Kosovës dhe bashkëluftëtarët e UÇK-së, shpresën për drejtësi dhe pafajësi për çlirimtarët që po mbahen në Hagë e kanë te ti”, shkroi Haradinaj në Facebook.

“Faleminderit, Gjeneral Clark”, përfundoi ai.