Një delegacion i Reporterëve pa Kufij dhe Organizatave tjera ndërkombëtare kishte zhvilluar gjatë marsit të këtij viti një takim me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, të cilit i kishin bërë thirrje “që të japin shembull duke dënuar dhe shmangur deklaratat shpifëse e përçarëse ndaj gazetarëve”. Por, lideri i Qeverisë, nuk ishte zotuar publikisht për të dënuar këto sulme. Kjo bëhet me dije në një deklaratë të lëshuar nga organizatat e sipërpërmendura të cilat vlerësojnë se situata e mediave në Kosovë është alarmante si rezultat i sulmeve nga pushteti.
“Një trend veçanërisht shqetësues i identifikuar është përdorimi i narrativave toksike nga zyrtarët e Vetëvendosjes, duke i paraqitur rrejshëm gazetarët që bëjnë pyetje legjitime si “mercenarë” serbë ose “agjentë” të paguar nga fuqi të huaja”, thuhet në reagim.
Të njëjtat, përmendin edhe Ligjin për KPM-në të rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese, përmes së cilit pushteti synonte kontroll funksional mbi mediat në përgjithësi dhe përmbajtjen e tyre në veçanti.
“Miratimi nga Kuvendi i një ligji për media – më vonë i shpallur jokushtetues – që dyshohet se rritte kontrollin politik mbi Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM), nënfinancimi dhe presioni politik ndaj Radio Televizionit të Kosovës (RTK), si dhe rritja e vazhdueshme e sulmeve verbale dhe fushatave denigruese ndaj gazetarëve nga zyrtarët e partisë në pushtet, janë faktorët kryesorë pas këtij vlerësimi”, shton.
Sipas këtyre organizatave, “këto zhvillime kanë minuar trajektoren pozitive të Kosovës në aspektin e lirisë së medias dhe zhvillimit mediatik që nga pavarësia. Ato kanë dëmtuar statusin e saj si një lider rajonal në procesin e integrimit në BE”.
“Kryeministri dhe zyrtarët argumentuan se kërcënimi kryesor ndaj lirisë së medias në Kosovë qëndron në kapjen e sektorit nga interesa ekonomike, korporative dhe oligarkike. Delegacioni theksoi se, megjithëse transparenca mbi pronësinë dhe mbrojtja e pavarësisë editoriale janë thelbësore, kjo nuk duhet të errësojë përgjegjësinë e qeverisë për përkeqësimin e fundit të lirisë së medias në vend”, shtojnë këto organizata.
Deklaratë e përbashkët: Organizatat ndërkombëtare i bëjnë thirrje qeverisë së Kosovës të ndalë rënien e lirisë së medias
Që nga viti 2023, situata është përkeqësuar pas një sërë zhvillimesh negative, gjë që kërkon veprim të menjëhershëm politik nga qeveria, përfundon një mision ndërkombëtar për lirinë e medias.
Pas një vizite dyditore në Prishtinë, një koalicion organizatash partnere të Platformës së Këshillit të Evropës për Sigurinë e Gazetarëve vuri re se një periudhë stabiliteti ka kaluar, gjatë tre viteve të fundit, në një përkeqësim të lirisë së shtypit në këtë vend kandidat për BE. Ndërsa Kosova ka një peizazh mediatik të larmishëm, nivel të ulët të dhunës fizike ndaj gazetarëve dhe një kornizë ligjore kryesisht të përputhur me standardet evropiane dhe ndërkombëtare, disa standarde të lirisë së medias janë dobësuar nga partia në pushtet, Vetëvendosje.
Miratimi nga Kuvendi i një ligji për media – më vonë i shpallur jokushtetues – që dyshohet se rritte kontrollin politik mbi Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM), nënfinancimi dhe presioni politik ndaj Radio Televizionit të Kosovës (RTK), si dhe rritja e vazhdueshme e sulmeve verbale dhe fushatave denigruese ndaj gazetarëve nga zyrtarët e partisë në pushtet, janë faktorët kryesorë pas këtij vlerësimi.
Këto zhvillime kanë minuar trajektoren pozitive të Kosovës në aspektin e lirisë së medias dhe zhvillimit mediatik që nga pavarësia. Ato kanë dëmtuar statusin e saj si një lider rajonal në procesin e integrimit në BE.
Sa i përket sigurisë së gazetarëve në Kosovë, aktorët mediatikë përgjithësisht shprehën besim në reagimin e fundit të Prokurorisë, ndërsa delegacioni mirëpriti përmirësimin në trajtimin e rasteve nga gjykatat. Strategjia e fundit e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) për përmirësimin e qasjes në drejtësi 2026–2028, e cila prioritizon rastet që lidhen me sigurinë e gazetarëve, shpifjen dhe paditë SLAPP, u vlerësua pozitivisht dhe duket se tashmë po jep rezultate, me disa raste të trajtuara shpejt. Kjo strategji u mirëprit edhe nga Koalicioni Kundër SLAPP në Evropë. Pas kulmit në vitin 2023, numri i sulmeve fizike ndaj gazetarëve është kthyer në nivelet e mëparshme, me disa raste të fundit që kanë përfunduar me dënime.
Në anën tjetër, numri i rasteve të dokumentuara nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), që përfshijnë denigrim online, diskreditim dhe ngacmim të gazetarëve — veçanërisht nga figura politike — është rritur ndjeshëm vitet e fundit, duke arritur kulmin në vitin 2025. Figura politike nga Vetëvendosje janë ndër autorët kryesorë të këtyre sulmeve. Një trend veçanërisht shqetësues i identifikuar është përdorimi i narrativave toksike nga zyrtarët e Vetëvendosjes, duke i paraqitur rrejshëm gazetarët që bëjnë pyetje legjitime si “mercenarë” serbë ose “agjentë” të paguar nga fuqi të huaja. Për mediat serbe dhe të tjera të pakicave, ky presion shtohet edhe nga kërcënimet nga qeveri të huaja dhe qasja e kufizuar në informacione publike në gjuhët e tyre.
Gjatë takimit me Kryeministrin, delegacioni i bëri thirrje atij, ministrave dhe zyrtarëve të partisë që të japin shembull duke dënuar dhe shmangur deklaratat shpifëse, veçanërisht gjuhën përçarëse ndaj gazetarëve. Kryeministri nuk u zotua publikisht për të dënuar këto sulme.
Edhe pse Kosova ka një sektor privat mediatik të larmishëm dhe dinamik, si në transmetim ashtu edhe online, peizazhi mediatik mbetet i brishtë për shkak të ndikimit të interesave politike dhe ekonomike, si dhe kufijve të dobët mes pronësisë së mediave dhe vijës editoriale. Problemet sistemike të vazhdueshme, përfshirë mungesën e transparencës nga autoritetet publike, vazhdojnë të minojnë gazetarinë hulumtuese dhe atë mbikëqyrëse, duke dobësuar pavarësinë e informacionit dhe besimin e publikut në media.
Delegacioni theksoi rëndësinë e garantimit të pavarësisë dhe financimit të mjaftueshëm të transmetuesit publik dhe i bëri thirrje Kryeministrit të sigurojë burime adekuate dhe të harmonizojë legjislacionin me nenin 5 të EMFA. Ai mbetet i shqetësuar për kushtet e vështira ekonomike në të cilat operon RTK, mungesën e një zgjidhjeje për infrastrukturën dhe mungesën e fondeve që pengon investimet. Delegacioni është gjithashtu i shqetësuar për rastet e largimit të moderatorëve, anulimit të programeve dhe presionit të vazhdueshëm politik. Menaxhmenti i RTK-së mohoi fuqishëm raportimet për presion ndaj gazetarëve dhe kërcënime ndaj pavarësisë editoriale.
Kryeministri dhe zyrtarët argumentuan se kërcënimi kryesor ndaj lirisë së medias në Kosovë qëndron në kapjen e sektorit nga interesa ekonomike, korporative dhe oligarkike. Delegacioni theksoi se, megjithëse transparenca mbi pronësinë dhe mbrojtja e pavarësisë editoriale janë thelbësore, kjo nuk duhet të errësojë përgjegjësinë e qeverisë për përkeqësimin e fundit të lirisë së medias në vend.
Për të adresuar çështjen e transparencës së pronësisë së mediave në mënyrë demokratike dhe proporcionale, delegacioni i bëri thirrje qeverisë të harmonizojë legjislacionin kombëtar me nenin 6 të EMFA. Ai gjithashtu vuri në dukje angazhimin e Kryeministrit për të rifilluar bashkëpunimin me organizatat ndërkombëtare për hartimin e një ligji të ri për media që përputhet me standardet evropiane.
Misioni i kërkoi qeverisë të rishikojë agjendën legjislative për të përfshirë ligjin për RTK-në dhe ligjin për mbrojtjen e burimeve gazetareske, në përputhje me EMFA dhe objektivin e Kosovës për anëtarësim në BE.
Korniza ligjore për lirinë e medias dhe sigurinë e gazetarëve në Kosovë mbetet në përgjithësi në përputhje me standardet e BE-së. Asnjë gazetar nuk është arrestuar në vitet e fundit. Në takim, Kryeministri Kurti dha garanci verbale se shpifja nuk do të rikriminalizohet, duke kundërshtuar deklaratat e fundit të disa zyrtarëve të Ministrisë së Jashtme.
Në vitet e fundit, vendimet e Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës Supreme dhe gjykatave më të ulëta kanë treguar pavarësinë e sistemit gjyqësor dhe aftësinë e tij për të mbrojtur lirinë e medias. Megjithatë, fakti që gjykata më e lartë e vendit u detyrua të shfuqizojë një ligj që kërcënonte pavarësinë e KPM-së është një shenjë shqetësuese që ilustron presionin në rritje mbi themelet e sistemit mediatik në Kosovë.
Meqenëse liria e medias është një shtyllë kyçe e procesit të anëtarësimit të Kosovës në BE, kërkohen përpjekje të konsiderueshme nga qeveria aktuale për të rikthyer besimin në përkushtimin e saj demokratik dhe për t’u rikthyer në ritmin e progresit të viteve të fundit.
Për të mbështetur këtë proces, partnerët e misionit do të publikojnë një raport me gjetjet dhe rekomandimet për qeverinë. Ky raport do të ndahet gjithashtu me Këshillin e Evropës, Bashkimin Evropian, Kombet e Bashkuara dhe OSBE-në.
Misioni në Prishtinë u zhvillua nga 24 deri më 26 mars. Delegacioni u takua me Kryeministrin Albin Kurti, si dhe me redaktorë dhe gazetarë, autoritete gjyqësore, organe rregullatore dhe përfaqësues të transmetuesit publik RTK.
Misioni përfshinte Shoqatën Evropiane të Gazetarëve (AEJ), Qendrën Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias (ECPMF), Federatën Evropiane të Gazetarëve (EFJ), Index on Censorship, Institutin Ndërkombëtar të Shtypit (IPI), Osservatorio Balcani Caucaso Transeuropa (OBCT) dhe Reporters Without Borders (RSF). Misioni u mbështet nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK). Një mision i ngjashëm ishte organizuar edhe në vitin 2022.









