Gjashtë gushti do të jetë data kur Kuvendi i Kosovës do të mblidhet për t’u konstituuar. Ushtruesja e Detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, e kumtoi këtë datë gjatë një konference për media.
Ajo tha se seanca konstituive është caktuar për në orën 10:00.
Haxhiu, ndër të tjera, tha se e ka shtyrë kaq gjatë caktimin e kësaj date, duke shfrytëzuar hapësirën kushtetuese për të arritur një marrëveshje për Presidentin ndërmjet partive politike.
Ajo bëri edhe thirrje që sa më parë të arrihet një marrëveshje ndërmjet partive.
“Unë i kam mbështetur dhe i kam përshëndetur takimet që janë zhvilluar ndërmjet kryeministrit dhe kryetarit aktual të Vetëvendosjes, zotit Albin Kurti. Siç e dini, ka pasur dy takime, njëri me PDK-në, tjetri me LDK-në. LDK-ja i ka pezulluar takimet për shkak të zhvillimeve të brendshme. Natyrisht që unë nuk komentoj çështjet e brendshme të partive politike, por është shumë e rëndësishme që, sa më parë, këto takime të vazhdojnë në mënyrë që të vijim dhe arrihet një marrëveshje për çështjen e presidentit”, tha Haxhiu.









