Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka siguruar mbështetjen e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Partisë Demokratike të Kosovës për balotazhin e 9 nëntorit në Gjakovë, ku përballet me Lëvizjen Vetëvendosje.
Lajmin për VOX Kosova e ka konfirmuar kandidati për kryetar të Gjakovës nga AAK, Ardian Gjini.
“Po, është e vërtetë. LDK dhe PDK do të më përkrahin”, tha Gjini.
Kjo marrëveshje vjen pak ditë pasi që kandidati i VV-së për kryetar të Gjakovës, Ardian Gola, i bëri ftesë publike Shefqet Shehut të LDK-së për të bërë koalicion për balotazhin e 9 nëntorit.
Ndryshe, në raundin e parë të zgjedhjeve lokale në Gjakovë, më 12 tetor, Gjini i AAK-së mori 47.53 për qind, ndërsa Gola i VV-së 31.89 për qind. I treti u rendit Shehu i LDK-së me 7.94 për qind, ndërsa Ervin Shabani i PDK-së i pesti me 5.74 për qind.









