Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj ka bërë thirrje që të mos ketë deklarime të parakohshme të asnjë zyrtari për çështjen e mbetjeve mortore të gjetura në fshatin Kalludër e Vogël të Zubin Potokut. Siç tha Isufaj nga vendi i ngjarjes, këto deklarime mund ta “dëmtojnë procesin e hetimit dhe ta devijojnë rezultatin final”.

“Unë kisha ba thirrje të gjithë komunitetit në përgjithësi është që të mos deklarohemi shumë për rastin sepse akoma gjithçka është herët dhe deklarimet në publik mund ta dëmtojnë procesin e hetimit e natyrisht edhe mund ta devijojnë rezultatin final”, tha Isufaj nga Zubin Potoku.

“Këto mbetje nuk është se mund të tërhiqen aq lehtë. Sepse duhet që paraprakisht të konstruktohet trupi i njeriut e pastaj ato të dërgohen në mjekësi ligjore e pastaj të vazhdohet me procedura tjera”, shton.

Ishte vetë Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili gjatë së mërkurës së 29 korrikut, tha “se dyshimet janë se mbetjet mortore u përkasin Grupit të 23 Intelektualëve që u rrëmbyen e zhdukën dhunshëm në prill të vitit 1999”.

Prokuroria Speciale e Kosovës edhe gjatë së mërkurës ka kërkuar nga mediat e individët të përmbahen nga publikimi i informacioneve të pakonfirmuara.