Kandidatja e LDK-së për presidente, Vjosa Osmani, dhe kandidati për kryeministër, Lumir Abdixhiku, kanë reaguar pas deklaratës së së Ngarkuarës me Punë të SHBA-së në Kosovë, Anu Prattipati, e cila theksoi rëndësinë e projektit të gazit amerikan për sigurinë energjetike të Kosovës.
Në një deklaratë të përbashkët, ata thanë se qëndrimi i SHBA-së përbën “një mesazh të qartë për sigurinë dhe të ardhmen strategjike të Kosovës”, duke theksuar se çështja e gazit amerikan nuk është vetëm ekonomike, por edhe pjesë e arkitekturës së sigurisë që Shtetet e Bashkuara po ndërtojnë në Evropë dhe Ballkanin Perëndimor.
Sipas tyre, gjatë viteve të fundit Kosova është larguar nga ky projekt strategjik, ndërsa ka shpenzuar mbi një miliard euro për import të energjisë elektrike. Ata vlerësojnë se vendi rrezikon të mbetet i vetmi në Ballkanin Perëndimor jashtë korridoreve strategjike të gazit amerikan dhe jashtë arkitekturës së re energjetike e të sigurisë në rajon.
“Ky vetëpërjashtim nuk është vetëm humbje ekonomike. Është humbje strategjike”, thuhet në deklaratë.
LDK thekson se partneriteti afatgjatë energjetik me SHBA-në, integrimi në projektet rajonale të gazit dhe diversifikimi i burimeve energjetike janë interes shtetëror i Kosovës, duke premtuar se me ardhjen në pushtet do të zbatojnë politikën për sjelljen e gazit amerikan në vend.









