Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka shprehur shqetësim për mosangazhimin e institucioneve të Kosovës në projektin rajonal të gazit të lëngshëm natyror, i cili mbështetet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Përmes një komunikate për media, OEA ka vlerësuar se Kosova duhet të ndjekë shembullin e vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor, të cilat tashmë janë zotuar të bëhen pjesë e kësaj infrastrukture strategjike energjetike.

Sipas Odës Ekonomike Amerikane, Kosova vazhdon të mbetet shumë e varur nga kapacitetet e vjetruara të prodhimit të energjisë, importet e mëdha të energjisë elektrike dhe një treg rajonal energjetik gjithnjë e më i paqëndrueshëm. Për këtë arsye, qasja në gazin e lëngshëm amerikan shihet jo vetëm si mundësi energjetike, por edhe si zgjedhje strategjike për të ardhmen e vendit.

“Në një kohë kur Kosova vazhdon të mbetet tejmase e varur nga kapacitetet e vjetruara gjeneruese, importet e mëdha të energjisë elektrike dhe një treg rajonal energjetik gjithnjë e më i paqëndrueshëm, qasja në gazin e lëngshëm amerikan përfaqëson jo vetëm një mundësi energjetike, por edhe një zgjedhje strategjike. Diversifikimi i burimeve të energjisë, rritja e sigurisë së furnizimit dhe forcimi i konkurrueshmërisë ekonomike duhet të mbeten ndër prioritetet kombëtare të Kosovës. Veçanërisht shqetësues është fakti se të gjitha shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor kanë shprehur zotimin e tyre për t’u bërë pjesë e infrastrukturës rajonale të LNG-së, e cila po zhvillohet me mbështetje të fuqishme nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kosova rrezikon të mbetet jashtë një kornize strategjike rajonale që po përcakton gjithnjë e më shumë të ardhmen e sigurisë energjetike dhe zhvillimit ekonomik në Evropën Juglindore”, është thënë në komunikatë.

Oda Ekonomike Amerikane paralajmëron se shpërfillja e vazhdueshme e qëndrimeve dhe prioriteteve strategjike të aleatit më të afërt të Kosovës mund të ndikojë me kalimin e kohës në cilësinë dhe thellësinë e partneritetit me Shtetet e Bashkuara.

Për këtë arsye, OEA u ka bërë thirrje institucioneve të Kosovës që të rivlerësojnë implikimet afatgjata strategjike, ekonomike dhe gjeopolitike të qëndrimit jashtë nismave rajonale për LNG-në dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive me SHBA-në për këtë çështje.