Vlora Çitaku, sekretare e përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, ka thënë se “Lëvizja Vetëvendosje ka kundërshtuar pothuajse çdo projekt që do t’i siguronte Kosovës më shumë pavarësi energjetike”.
Këtë koment Çitaku e ka dhënë në një përgjigje për VOX Kosova në lidhje me thirrjet amerikane për bashkimin e Kosovës në projektet e tyre për shtrirjen e gazit amerikan në Ballkan si kundërpeshë e varësisë evropiane në energjinë dhe gazin rus e kinez.
“Fatkeqësisht, për vite me radhë, Lëvizja Vetëvendosje ka kundërshtuar pothuajse çdo projekt që do t’i siguronte Kosovës më shumë pavarësi energjetike. Fillimisht si opozitë, e më pas si qeveri. E shpeshherë edhe përmes formave të dhunshme. Sot po e shohim rezultatin e kësaj politike”, ka deklaruar Çitaku.
Ish-ambasadorja e Kosovës në SHBA ka thënë se ky projekt nuk është thjesht teknik, por lidhet edhe me sigurinë kombëtare të Kosovës, teksa hijezoi natyrën e ndryshuar të luftës, që për të tashmë zhvillohen edhe me energji e zingjirë furnizimi.
“Debati për gazin amerikan nuk është debat për një projekt teknik. Nuk është debat për një tubacion apo për një central energjetik. Ky është debat për sigurinë kombëtare të Kosovës… Në një botë ku siguria energjetike po bëhet po aq e rëndësishme sa siguria ushtarake, vendimet që marrim sot do të përcaktojnë jo vetëm mirëqenien e qytetarëve tanë, por edhe pozitën e Kosovës në hartën gjeopolitike të dekadave që vijnë”, ka thënë Çitaku.
Çitaku ka potencuar edhe faktin se vendet në rajon po ndërtojnë lidhje me gazin amerikan dhe po diversifikojnë burime – me Kosovën që ka “mbetur jashtë” siç thotë ajo.
“Të gjitha vendet e rajonit po ndërtojnë lidhje të reja energjetike, po diversifikojnë furnizimin dhe po forcojnë sigurinë e tyre. Vetëm Kosova ka mbetur jashtë”.
Në shtator të vitit 2021, Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti kishte refuzuar projektin e propozuar amerikan për furnizim me gaz natyror, pasi që ekzekutivi prishtinas kishte vënë kushte të parealizueshme.
Projekti për zhvillimin e infrastrukturës për furnizim me gaz amerikan ishte negociuar mes Qeverisë së Kosovës dhe agjencisë amerikane, Sfidat e Mijëvjeçarit (MCC), agjenci e cila kishte zotuar rreth 200 milionë dollarë për projektin në fjalë.
Administrata e atëbotë presidentit amerikan, Joe Biden, e kishte futur Kosovën në buxhetin e agjencionit federal, MCC, me qëllim që Kosova të përfitonte 200 milionë dollarë të pakthyeshme për ndërtimin e gaz-përçuesit në drejtim të Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, nga ku më pas të lidhej me rrjete ndërkombëtare të gazit natyror.
Kryeministri Kurti ka hedhur poshtë mundësinë që një infrastrukturë e Gazit të Lëngshëm Natyror Amerikan të ndërtohet në Kosovë. Sipas tij, një e tillë duhet të bëhet në Vlorë, e pastaj nga aty gazi të transferohet si energji elektrike në Kosovë.
“Republika e Kosovës ka gatishmëri që të investojë në Terminalin në Vlorë dhe paramendojeni një situatë kur për shembull ne kemi një përqindje të aksioneve si Republikë e Kosovës në Terminalin në Vlorë. Dhe aty mund të vijë gazi i lëngshëm prej jashtë, të shndërrohet në energji elektrike dhe me interkoneksionin prej 400 kiloëolt që kemi me Shqipërinë ta sjellim tek ne”, tha Kurti në RTK, një ditë para zgjedhjeve të 7 qershorit.









