Zyrtari për çështje ekonomike në Ambasadën Amerikane në Prishtinë, Micah Savidge, ka thënë se Kosova duhet të veprojë në ndërtimin e infrastrukturës që i mundëson furnizimin me Gaz të Lëngshëm Natyror.
Në një intervistë për KosovaPress, Savidge ka thënë se SHBA-të kanë për qëllim “diversifikimin e burimeve të gazit dhe largimin gradual të Bashkimit Evropian nga varësia ndaj gazit natyror rus”.
“Qëllimi ishte diversifikimi i burimeve dhe rrugëve të furnizimit me gaz, në kuadër të largimit gradual të Bashkimit Evropian nga varësia ndaj gazit natyror rus për partnerët dhe aleatët evropianë ashtu që infrastruktura e gazit natyror që përdor gaz natyror të lëngshëm (LNG/LNG) nga Shtetet e Bashkuara planifikohet të mbulojë të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, me përjashtim të Kosovës”.
Savidge ka theksuar se shumë biznese amerikane që po duan të zgjerohen në Kosovë po kërkojnë furnizim të qëndrueshëm me energji. Kështu, sipas tij, Kosova po rrezikon të humbasë investime amerikane si pasojë e mungesës së energjisë së qëndrueshme.
“…dhe për këtë arsye, Kosova, si vendi më pro-amerikan në Evropë, po ftohet për t’iu bashkuar projektit rajonal të Shteteve të Bashkuara për të punuar bashkë në investime strategjike dhe forcimin e partneritetit tonë për një periudhë afatgjatë në të ardhmen”, ka potencuar Savidge.
I pyetur për projektin që propozoi kryeministri në detyrë, Albin Kurti, rreth gazifikimit të linjitit dhe lidhjes së Kosovës me terminalin e gazit në Vlorë, zyrtari i Ambasadës amerikane tha se ky projekt nuk është finalizuar dhe është vështirë të flitet për të, por se SHBA-të mbështetin çdo diversifikim të burimeve energjetike paçka se një burim i vetëm nuk mund të prodhojë pavarësi të plotë energjetike.
“Vendimet energjetike që Kosova i merr sot do të jehojnë në të ardhmen e saj, prandaj sigurimi i furnizimit të qëndrueshëm me energji është thelbësor për rrugën e zhvillimit të Kosovës dhe për shpejtësinë me të cilën ajo mund të arrijë standardet e jetesës së Bashkimit Evropian. Për këtë arsye, ne e nxisim fuqishëm Kosovën që të shqyrtojë investime të mëtejshme në gazin natyror, përfshirë mundësinë e ndërtimit të një centrali me gaz natyror në Kosovë, i cili po të ndërtohej me kapacitet të mjaftueshëm, do të mund të mbulonte nevojat e brendshme energjetike të Kosovës dhe madje do të krijonte mundësinë për eksportimin e energjisë elektrike te vendet fqinje”.
Qasja e Kosovës në gazin natyror të lëngshëm “e mbështetur nga një marrëveshje afatgjatë furnizimi me një furnizues amerikan”, për Savidge do të nënkuptonte “kosto më të parashikueshme të energjisë dhe të mbështesë prodhimin konkurrues vendor të energjisë elektrike edhe në të ardhmen”.
“Varësia aktuale e Kosovës nga importi i energjisë elektrike i ekspozon konsumatorët dhe bizneset ndaj luhatjeve të tregut rajonal, veçanërisht gjatë periudhave me kërkesë të lartë dhe furnizim të kufizuar”.
Duke iu referuar të dhënave të Doganës së Kosovës mbi importin e lartë të energjisë elektrike, zyrtari i Ambasadës amerikane ka ngritur një sërë pyetjesh rreth të ardhmes energjetike të Kosovës.
“Dëshiroj të theksoj se, sipas të dhënave doganore, gjatë katër viteve të fundit Kosova ka shpenzuar afërsisht 735 milionë euro për importin e energjisë elektrike, përfshirë 259 milionë euro vetëm gjatë vitit 2025. Pa kapacitete shtesë të prodhimit, ka të ngjarë që Kosova të vazhdojë të mbështetet në importin e energjisë elektrike për të përmbushur kërkesat e saj në të ardhmen”.
“Prandaj, këtu shtrohet një pyetje e rëndësishme për Kosovën: si të forcojë sa më mirë sigurinë energjike afatgjatë? A është më mirë të sigurohen furnizime të parashikueshme të energjisë për prodhimin vendor të energjisë elektrike, ku shpenzimet mund të parashikohen më lehtë apo është më mirë që të varet nga importi i energjisë elektrike nga vendet fqinje me çmime tregu, të cilat Kosova nuk mund t’i kontrollojë dhe që mbesin të cenueshme nga luhatjet e jashtme?”.









