Ish-deputetja e Nismës Socialdemokrate të Kosovës, Xhevahire Izmaku, ka bërë të ditur se partia e saj do të garojë e vetme në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 28 dhjetorit, pasi nuk arriti të bëjë koalicion parazgjedhor as me Partinë Demokratike të Kosovës, as me Lidhjen Demokratike të Kosovës, pavarësisht diskutimeve.
“Shumë prej jush më keni shkruar ditëve të fundit, duke pyetur për një bashkim të mundshëm me subjektin me të cilin kemi ndarë vlera të përbashkëta ndër vite. Sot dua t’ju them me qartësi: ajo marrëveshje nuk ndodhi. Por një gjë mbetet e pathyeshme: Nisma do të ecë përpara, e pavarur, e përkushtuar dhe e mbështetur tek njerëzit që e besuan këtë rrugë dekada me radhë, nën lidershipin e provuar të Fatmir Limajt”, shkroi ajo në Facebook.
“Ne do të vazhdojmë t’i shërbejmë vendit me vlera që i përgjigjen realisht nevojave të qytetarëve. Për ne, politika nuk është krenari e tepruar, as arrogancë; politika është përgjegjësi, shërbim dhe përkushtim i përditshëm”, shtoi.
Sipas saj, ky është momenti për t’u mobilizuar, për të qëndruar bashkë dhe për t’i treguar vendit se ka forcë politike që punon me dinjitet, me sinqeritet dhe me vizion të qartë.
“Gara fillon. Nisma vazhdon rrugën me ju nën udhëheqjen e dëshmuar të liderit tonë Fatmir Limaj. Na priftë e mbara”, potencoi Izmaku.
Nisma, partia që drejtohet nga Fatmir Limaj, ka pasur diskutime me LDK-në për një koalicion eventual parazgjedhor. Madje kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e kishte lënë të hapur mundësinë që Nisma të bëhej pjesë e listës së partisë që ai drejton.
Diskutime për koalicion Nisma kishte pasur edhe me PDK-në, mirëpo në fund nuk e ka gjetur gjuhën e përbashkët me asnjërën nga këto parti dhe ka aplikuar për të garuar e vetme.









