Kur kanë mbetur edhe tri ditë deri në zgjedhjen e Presidentit të ri, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se nëse nuk arrijnë të gjejnë një figurë unifikuese që siguron mbështetjen e së paku 80 deputetëve, një nga opsionet e mbetura është që secili subjekt politik parlamentar të propozojë kandidatin e vet partiak dhe të gjithë t’i nënshtrohen garës brenda Kuvendit.

“Këtë e parasheh edhe Kushtetuta, e cila garanton një proces demokratik ku së paku dy kandidatë i nënshtrohen një gare të drejtë me korum të siguruar, duke shmangur nevojën për zgjedhje të jashtëzakonshme”, ka thënë Kurti në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje.

Ai deklaroi se kanë qëndrimin që nëse subjektet pajtohen që ky të jetë rrugëtimi, pra gara e hapur ku secili subjekt ka kandidatin apo kandidaten për President, “atëherë edhe ne pajtohemi me këtë qasje dhe Lëvizja Vetëvendosje do ta ketë kandidatin e saj për President”.

“Në fund do të fitojë ai ose ajo që arrin të marrë mbështetjen e deputetëve në cilindo nga tri raundet ashtu siç e kërkon Kushtetuta në procedurën e saj”.

Kurti ka njoftuar gjithashtu se nesër do të takojë edhe Kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abidxhiku, me të cilin do të diskutojnë rreth këtij procesi.